Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Një votë kundër demokracisë - Struga.net

Një votë kundër demokracisë

0

Nga Viktor Mërkuri*

Shteti turk nuk është i rëndësishëm vetëm për madhësinë e tij, por është edhe një prej aktorëve të fuqisë politike ndërkombëtare. Sot ajo duhet të përballet me dhunën e cila po përhapet nga një Siri e rrënuar nga lufta, shkruan Mërkuri, ndaj një rrëshqitje e saj në autokraci do të ishte shumë problematike jo vetëm për atë vetë

Më 16 prill, populli turk votoi për një paketë reformash kushtetuese, të cilat do të centralizojnë pushtetin e shtetit në zyrën e presidentit. Ndryshimet do t’i japin presidentit Erdogan fuqinë të emërojë dhe shkarkojë ministrat e qeverisë, gjyqtarët e gjykatave, të mund të miratojë legjislacionin nëpërmjet dekretit, dhe të hartojë buxhetin shtetëror. Teknikisht kjo reformë do t’i lejojë atij të mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2029.

Shteti turk nuk është i rëndësishëm vetëm për madhësinë e tij, por është edhe një prej aktorëve të fuqisë politike ndërkombëtare. Për shekuj me radhë Turqia ishte vendi i një perandorie masive. Sot ajo duhet të përballet me dhunën e cila po përhapet nga një Siri e rrënuar nga lufta. Turqia ka qenë prej kohësh një rast prove se nëse demokracia mund të pajtohet dhe bashkëjetojë me islamin politik. Nga ana tjetër, asaj i duhet të lundrojë vazhdimisht mes liberalizmit perëndimor dhe nacionalizmit autoritar.

Rexhep Taip Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2003. Ai së bashku me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim solli mjaft aspekte pozitive në shtetin turk. I mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ai zbuti inflacionin dhe çoi në rritje ekonomike vendin. I mbështetur nga Bashkimi Europian u përball me atentate të oficerëve ushtarakë dhe burokratëve të tjerë kundër qeverisë së tij, forcoi liritë civile dhe zhvilloi biseda për paqe me kurdët.

Nga ana tjetër, sot Turqia është e mbushur me probleme. Nën hijen e luftës civile në Siri, xhihadistët dhe militantët kurdë po vazhdojnë fushatat kundër shtetit turk. Verën e kaluar ushtria tentoi një grusht shteti, me shumë gjasa e organizuar nga mbështetësit e një kleriku të vendosur në SHBA, Fethullah Gulen, i cili kishte arritur të depërtonte në sistemin burokratik, sektorin gjyqësor dhe ushtrinë turke. Ekonomia dikur e fuqishme e shtetit, tashmë po vuan rritje të ngadalta si pasojë e favorizimit të “miqve” të Erdoganit, ndërkohë që menaxhimi i dobët po sjell një kolaps në sektorin turistik.

Erdogani shprehet se për të vendosur në një vijë më të qëndrueshme këtë situate politiko-ekonomike, Turqia ka nevojë për një Kushtetutë të re që do të gjenerojë stabilitet politik. Ai thotë se vetëm një president i fortë mund të nxitë shtetin dhe të largojë armiqtë e tij. Natyrisht, ai është duke folur për veten e tij.

Kushtetuta e re mishëron një demokraci joliberale nën modelin e nacionalistëve, si Viktor Orban i Hungarisë dhe Vladimir Putin i Rusisë. Tashmë Erdogan dhe partia e tij ka të drejtë të modifikojë sipas dëshirës institucione të tilla si gjyqësori dhe shtypi.

Është ky momenti kur dikush do fillojë të mendojë se kur është ai moment që një vend ndalon së qeni demokraci? A ndodh kur balancat e fuqive brenda vendit janë gërryer shumë për të parandaluar abuzimet e pushtetit, a është kur të drejtat e pakicave dhe liritë individuale kufizohen, kur ndarja e pushteteve bie dhe pushteti përqendrohet vetëm tek ekzekutivi, kur media është e vlefshme vetëm kur kooperon me pushtetin, dhe hesht kur bie ndesh me të apo kur transferimi i pushtetit në një parti opozitare bëhet e paimagjinueshme?

Si një anëtar i NATO-s dhe një fuqi rajonale, Turqia është shumë e rëndësishme për t’u lënë në mëshirë të fatit. Ajo do të vazhdojë të luajë një rol jetik në konfliktin e Sirisë. Turqia ka qenë gjithashtu një kanal për refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika për në BE, si dhe një instrument jetik në kontrollin e fluksit të tyre. Ndërkohë bashkëpunimi me BE-në është në interes të përbashkët. BE-ja është partneri i saj më i madh tregtar. Anëtarësimi në NATO po modernizon brezin e ardhshëm të oficerëve në forcat e saj të armatosura, edhe pse Turqia nuk do të bashkohet me BE-në në një të ardhme të afërt, ajo do vazhdojë të besoj se ka ende një vend për të në BE.

Rusia, Venezuela, Malajzia, Filipinet, Egjipti, dhe tani Turqia janë një zinxhir i errët shtetesh në të cilat ishte dhe vazhdon të jetë populli që ka vendosur se nuk ka rrugë tjetër veç autokracisë dhe referendumi i fundit i Turqisë duket se legjitimoi Erdoganin që të qeverisë tashmë si një diktator i zgjedhur, por janë në po këto vende në të cilat është harruar së populli nuk duhet të ketë frikë nga qeveritë e tyre, por janë qeveritë që duhet të kenë frikë nga populli i tyre.

*pedagog, Marrëdhënie Ndërkombëtare

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting