Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Drogë me leje dhe avion - Struga.net

Drogë me leje dhe avion

0
blendi_fevziu

Nga Blendi Fevziu, Komisioni hetimor parlamentar për trafikun e drogës me avion e kishte pushim dje! Ishte e shtunë! Avionët e drogës jo, ata punojnë edhe në ditët e pushimit. Punojnë edhe kur komisioni heton për ta, ditën nëpër diell, midis plazhistëve që shëlleheshin në plazhin e Divjakës. Madje duke sfiluar mes fotove që shumica e tyre shkrepën me celular dhe i postuan në Facebook shumë përpara se sa forcat e policisë të rrethonin avionin që kishte ngelur në vend me një rrotë të thyer dhe në pamundësi për t’u ngritur sërish! Nuk dua të merrem me rrethanat e ngjarjes. Informacionet lëvizin aq shpejt, sa në kohën që ky shkrim do të shkojë në shtypshkronjë do kenë dalë me siguri detaje të tjera që nuk i di. Detajet kanë rëndësinë e tyre, por problemi ngrihet mbi to. Nuk dua të merrem me debatin mbi këtë problem që në Parlament tri javë më parë u shndërrua në qesharak nga gara e shumë deputetëve se kush të tallej më shumë me të! As me etiketimet e zyrtarëve më të lartë që përmendnin mushkonja apo UFO dhe që asnjë moment nuk e morën seriozisht. Edhe pse në tryezat e tyre kishte një letër të shërbimit sekret që i paralajmëronte për këtë; edhe pse në disa gazeta qarkullonte një foto e një avioni të ngjashëm të ulur në afërsi të Kardhiqit. Kjo ka peshën dhe përgjegjësinë e saj politike. Dhe kjo përgjegjësi nuk hidhet pas shpine kaq thjesht. Sepse do kishte qenë shumë më e ndershme që ata të deklaronin se po e verifikonin këtë deklaratë edhe nëse nuk e besonin atë. Shteti kështu duhet të funksionojë. Dua të merrem me një seri pikëpyetjesh që besoj se sot shqetësojnë jo ata që e kanë besuar këtë denoncim që në fillim, por më shumë ata që janë tallur me të. Dhe që sot ndihen të tallur dhe të vënë në lojë vetë. Siç shkruante në Facebook kolegu im Sokol Shameti: “Kushdo qe dje s’donte ta besonte idenë e trafikut të drogës me avionë (ndër ta edhe unë), sot ngjan me plot të drejtë o si idiot, o si trafikant”! Besoj se sot të gjithë ata pyesin: Si shpjegohet që një avion i atij tipi që është akuzuar për trafik droge në tri javët e fundit merr leje fluturimi nga autoritetet shqiptare pa ndonjë argument bindës?! Si shpjegohet që personi që autorizohet të fluturojë në Shqipëri figuron me mjaft precedentë në Itali!? Nëse me emrin e tij bën një kërkim të thjeshtë në Google, pa asnjë hetim më tepër, gjen që ka qenë 2 herë i akuzuar për mashtrim në Itali dhe që në zonën e tij njihet me nofkën “komandanti”. Si shpjegohet që në një moment kur Shqipëria është e ndezur nga ky debat, kur në Gjadër vihen betona për të ndalur ndonjë ulje të mundshme dhe kur në Parlamentin e Shqipërisë transmetohen live seancat e komisionit hetimor për trafikun e drogës me avion, strukturat që kanë në dorë lejen dhe autorizimin ia japin atë pa asnjë verifikim?! Dhe si për ironi trafikantët vijnë dhe e marrin drogën me leje dhe me autorizim të shtetit shqiptar! Si shpjegohet që në mes të këtij debati që po dominon vëmendjen publike, strukturat e sigurisë që njoftohen nga autoritetet që japin lejen e fluturimit nuk bëhen kurioze të mësojnë se ku shkon ky avion dhe përse e kërkon lejen e fluturimit në Shqipëri? Si shpjegohet që një trafikant apo disa të tillë, në kulmin e vëmendjes publike dhe mediatike, e ulin avionin pikërisht në atë vend ku u bë debati, në Divjakë. Pikërisht atje ku vëmendja duhet të jetë më e madhe?! Pra e bën këtë me kulmin e arrogancës dhe duke i injoruar të gjithë! Nëse avioni s’do të kishte thyer rrotën e tij në një manovër të gabuar, do të kishte ikur sërish, duke lënë komisionin hetimor të debatonte nëse droga merrej me avionë apo ato ishin thjesht mushkonja që fluturojnë mbi Divjakë.

Pa sqaruar asgjë! Përgjigjja e gjithë këtyre pyetjeve bën të mendosh që ose trafikantët nuk e konsiderojnë fare shtetin shqiptar, nuk pyesin për ligjin e tij, nuk ia kanë frikën; ose ata kanë garanci pikërisht nga zyrtarë të lartë të këtij shteti! Një variant të tretë vështirë të gjesh! Ndaj, nëse shteti do të përmirësojë imazhin e tij, nëse realisht do t’i shkojë këtij hetimi deri në fund, do ta bëjë këtë duke gjetur përgjegjësit brenda strukturave të tij! Atyre që e kanë shkaktuar me papërgjegjshmëri apo duke qenë ortakë në shkelje të ligjit! Duke shkruar këtë shkrim m’u kujtua gazi i deputetëve në Parlament në vitin 2000 kur kreu i atëhershëm i opozitës deklaronte se ishte vjedhur thesari i shtetit. Me atë deklaratë u bë për një kohë shaka, por “shakaja” e hidhur rezultoi e vërtetë! Atëherë shteti u duk thjesht karagjoz, por karagjoz me shtetasit e vet! Sot, me këtë që ka ndodhur, kemi rezultuar problematikë jo vetëm me sigurinë tonë, por edhe me fqinjët! Kemi dëmtuar rëndë imazhin tonë, ndaj nëse sërish edhe kjo histori mbyllet pa fajtor, atëherë fajtorë jemi të gjithë ne!

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting