Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Heqja e sekretit bankar zviceran - Struga.net

Heqja e sekretit bankar zviceran

0
money

Nga Naser Sertolli

Një lajm i mirë vjen nga Perëndimi. Mund t’u hyjë në punë shumë qytetarëve. Sidomos atyre që duan ta shuajnë kërshërinë rreth pasurisë së këtyre “të fortëve” tanë. Por, edhe politikanëve, atyre që s’ua duan të mirën rivalëve të tyre.

Të martën, Zvicra ka nënshkruar një deklaratë zyrtare (bashkë me Singaporin), përmes të cilës angazhohet të praktikojë shkëmbimin automatik të informacioneve bankare për qëllime fiskale. Pra, shteti helvetik de facto i jep fund sekretit në këtë fushë.

Tash e tutje, pra, Zvicra, si një prej qendrave më të rëndësishme financiare në botë, pa hezitim do t’i ofrojë të dhënat bankare për secilin person që mund të ketë deponuar para në ndonjërën prej mbi 300 bankave atje. Mjafton që të bëhet një kërkesë në këtë drejtim dhe informacionet bankare do të kthehen në mënyrë automatike. Megjithatë, një kërkesë ose një shkëmbim të tillë mund ta bëjnë vetëm 34 vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE), si dhe 13 vende të tjera, të cilat janë nënshkruese të deklaratës.

Natyrisht, vendimi i shtetit helvetik është marrë në kontekstin e luftës kundër evazionit dhe keqpërdorimeve fiskale, të cilën qeveri të shumë vendeve të botës e kanë intensifikuar që kur ka nisur kriza financiare. Po ashtu, duhet përmendur se deri më tani bankat zvicerane kanë ofruar informacione për klientët e tyre vetëm në rast të hetimeve nga autoritetet tatimore ose gjykatat.

Sigurisht që qytetarët tanë nuk do të mund të realizojnë ose përfitojnë pothuaj kurrgjë nga ky zhvillim, tani për tani, duke ditur se vendi ynë nuk është as anëtar i OBZHE-së, e as në mesin e atyre vendeve të tjera që e kanë nënshkruar marrëveshjen e shkëmbimit të të dhënave bankare edhe me Zvicrën. Mirëpo, në një të ardhme jo të largët, përmes mekanizmave adekuatë, secili qytetar, por edhe vet shteti, mund të interesohen dhe të kërkojnë të kuptojnë pasurinë e fshehur në parajsën e deridjeshme të secilit prej këtyre që sot “vrajnë e kthjellin” këndejpari.

Dhe, arsye e fakte ka me bollëk. Askush nuk mund të ketë harruar akuzat e kundërakuzat për shumat marramendëse të “avulluara” ndonëse ishin mbledhur për ta financuar luftën për çlirim apo edhe për të financuar sistemin paralel në kohën sa ishim të pushtuar. Ndonjë milion nga ato shumë milionat që janë mbledhur nga bashkatdhetarët tanë gjithandej në Evropë, Amerikë e kontinente të tjera, nuk ka se si të mos ketë përfunduar në ndonjë bankë zvicerane si depozitim me emrin e ndonjërit prej këtyre që sot e bëjnë ligjin e Maliqin, ose të ndonjë të afërmi të tyre.

Po ashtu, me çanta të mbushura dëng me euro në bankat helvetike viteve të fundit mund të jetë paraqitur edhe ndonjë zyrtar i ndonjë institucioni qendror apo edhe lokal, i cili për hisen nga ndonjë tender siguri ka gjetur veç në vendin alpin.

Heqja e sekretit bankar zviceran mund të shpërfaq edhe hipokrizinë e ndonjë politikani, i cili ndonëse gojën mund ta ketë plot dogma për zhvillim ekonomik të këtij vendi, se lobon për investime të huaja, duke premtuar ambient të sigurt, nuk i sjell kurrë milionat e tij, nga interesi i të cilave do të mbushej buxheti.

Vendimi i Zvicrës, pra, mund të na mundësojë të kuptojmë se prapa petkut elegant të pushtetarëve e nën epoletat e “komandantëve” gjenden maskarenj, të cilët kanë plaçkitur djersën e kontributin e qytetarëve të Kosovës dhe të dhjetëra mijërave bashkëkombësve tanë në diasporë. Se kur do të nisë demaskimi nuk mund të parashikohet, por ai do të ndodhë një ditë!

*ZERI

Category: Opinion

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting