Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Hipokrizia e ndërkombëtarëve dhe karnavalet e demokracisë - Struga.net

Hipokrizia e ndërkombëtarëve dhe karnavalet e demokracisë

0

Nga Gentian Gaba*

“Jemi këtu për të mbrojtur demokracinë, jo për ta praktikuar atë”, shprehej aktori Gene Hackman në filmin Crimson Tide, në rolin e kapitenit Ramsey. Një citim që i shkon për shtat qëndrimeve të ndryshme, por në unison, që ndërkombëtarët kanë mbajtur javën e shkuar mbi “vetëpërjashtimin” e opozitës nga zgjedhjet e 18 qershorit. Ndoshta me të drejtë eksponentët e diplomacisë perëndimore nuk e kuptojnë këtë insistim të opozitës. Ndoshta modeli ynë politik, që në fakt është hibrid, nuk mund të analizohet nga njerëz që janë familjarë me ndarjen e pushteteve, institucione të forta, me liderë politikë konsekuent dhe me parti të drejtuara demokratikisht nga brenda. Ndoshta është e vështirë për një europian të kuptojë krizën pasi në kampet elize të demokracive përtej Adriatikut ministra të ndryshëm kanë dhënë dorëheqje për motive që ministrat tanë do t’i konsideronin lodra fëmijësh.

Në vitin 2009, ministri portugez i ekonomisë jep dorëheqje pasi i kishte bërë gjestin e brirëve një kundërshtari të tij në parlament. Në vitin 2016, po në Portugali, ministri i Kulturës jep dorëheqjen për shkak të një postimi agresiv ndaj gazetarëve në Facebook. Në vitin 2011 ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Karl Guttenberg, jep dorëheqjen pasi tema e tij e doktoraturës mbartte disa plagjiatura. Të njëjtin “krim” kishte kryer ministrja e Arsimit gjerman Schavan, pasi u zbulua se kishte kopjuar temën e diplomës, në vitin 2013 dha dorëheqjen. Franca nuk bën përjashtim nga këto shkelje të bujshme. Ministri i Brendshëm Bruno le Roux u tërhoq pasi u zbulua se kishte punësuar dy vajzat e tij në administratën publike në mars të këtij viti. Ministri spanjoll Mariano Bermejo dha dorëheqjen pasi në 2009 u zbulua se kishte dalë për gjah me një gjyqtar që kishte ndaluar për korrupsion disa persona të lidhur me partinë popullore spanjolle. Në Britaninë e Madhe ministri për emigracionin dha dorëheqjen pasi mbante në punë një kujdestare pa leje qëndrimi. Në Suedi ministrja e Arsimit, Aida Hadzialic, pasi u gjend e dehur në timon i dha lamtumirën dikasterit që drejtonte.

Ndoshta, kjo është hipokrizia që perëndimorët shfaqin në këtë moment politik. Nëse komisioneri Johannes Hahn dhe shokët e tij do të toleronin që ministrat e vendeve europiane të ngjisnin të ndenjurat e tyre në karrigen ministrore pavarësisht akuzave, vjedhjeve dhe shpërdorimeve, të cilat në shumicën e rasteve janë të mbështetura në fakte, atëherë ai dhe shokët e tij mund t’i shkruajnë popullit shqiptar tre herë në ditë. Por nga momenti që një ministër gjerman jep dorëheqjen për një temë të kopjuar kur ka qenë në moshë të re dhe një ministër shqiptar nuk jep dorëheqje për kanabizimin e gjithë vendit, atëherë komisioneri ose është i painformuar ose është hipokrit. Nëse ministri britanik dorëhiqet pasi punëson një emigrante pa dokumente dhe ministri shqiptar që regjistrohet duke i uruar “suksese në jetë” një nëpunësi që sapo ka larguar nuk do t’ia dijë, atëherë komisioneri ose është i painformuar ose është hipokrit. Letrat që vijnë nga Brukseli, si vetëtima nga maja e Olimpit, po ngarkojnë në mënyrë të panevojshme situatën politike. Hahn dhe shokët e tij nuk mund të lozin sikur të jenë zota, duke zgjedhur sigurinë mbi lirinë e qytetarëve shqiptarë.

“Kush jep lirinë për të fituar sigurinë, ai nuk meriton as lirinë as sigurinë”, thoshte Benjamin Franklin, ndoshta kjo nuk duhet harruar tani që këto zgjedhje të thyera po trokasin. Mbështetja e ndërkombëtarëve ka bërë që mazhoranca të humbasë sensin demokratik dhe respektin për kundërshtarin. Opozita nuk mund të jetë ajo që do shumica ose të maskohet si për karnavale për t’i dhënë kuptim një procesi fasadë, por ajo që do populli i saj. Qëndrimi i opozitës i bën mirë shëndetit të gjësë publike, pasi mazhoranca është familjarizuar shumë me pushtetin dhe veset që ky mbart. Qëndrimi i bashkuar i opozitës, vullneti për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, ndoshta do të bëjë që në 19 qershor pozita të shkundet nga deliri i saj i vetëmjaftueshmërisë.

*Msc Shkenca komunikimi

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting