Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Kush humbi e kush fitoi nga marrëveshja Basha-Rama?! - Struga.net

Kush humbi e kush fitoi nga marrëveshja Basha-Rama?!

0

Nga Namir Lapardhaja*

Marrëveshja e arritur midis Bashës dhe Ramës është një hap para në jetën politike të Shqipërisë. Frytet e kësaj marrëveshjeje mund të shfaqen në të ardhmen. Nëse dikush ka nisur të llogaritë se kush fitoi dhe kush humbi me këtë marrëveshje, gabon. Gabon për të gjetur edhe fitimtarë dhe humbës midis palëve politike. Gabon se askush nuk ka fituar nga palët politike deri më sot. Nëse dikush do të fitojë nga palët politike do të duket në ditën e zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë do të shpërblejnë me vota palën politike që ata mendojnë t’ia besojnë, delegojnë pushtetin për katër vite.

Sot të fituar në një farë mënyre janë qytetarët shqiptarë dhe ja pse: me arritjen e marrëveshjes në Shqipëri do të ketë pak e aspak kanabis dhe qytetarët do t’i kthehen punës së ndershme frytdhënëse që krijon begati dhe të ardhme të sigurt për ta dhe fëmijët e tyre.

Gjithashtu, zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të sjellin si produkt një qeveri të ligjshme e me autoritet në popull. Besoj se kjo është fitorja më e madhe e qytetarëve. Pushteti i tyre nuk do të copëtohet e t’iu hidhet qenve si shpërblim për shitjen e votës dhe si klientelë për të shitblerë vota në të ardhmen.

Kjo, e shoqëruar edhe me një reformë në administratën shtetërore, ku profesionistët të shihen si vlera kombëtare të respektuara dhe askush nuk do të guxojë t’i hedhë poshtë, siç është vepruar deri më sot nga partitë klienteliste, do të krijojë një administratë shërbimi me cilësi e përkushtim ndaj vendit dhe qytetarëve.

Natyrisht, kryesorja dhe shpresëdhënësja është Reforma në Drejtësi, vettingu si proces në të gjitha kategoritë e njerëzve që synojnë poste publike e politike. Njëherë e mirë vendi do të pastrohet nga sharlatanët dhe sharlatanizmi që ka kalëruar mbi kalin e veseve të banorëve të këtij vendi, duke flakur tutje virtytet e këtyre qytetarëve si të papërdorshme në këtë vend ku ka gëluar padrejtësia, hipokrizia, mashtrimi, hajdutëria dhe klientelizmi dhe ku humbësit më të mëdhenj kanë qenë qytetarët normalë të këtij vendi. Motoja e këtyre politikanëve dhe zyrtarëve të lartë që rekrutonin deputetë, ministra dhe zyrtarë të lartë ka qenë: për punë të poshtra lipsen njerëz të poshtër.

Nëse qytetarët e këtij vendi kanë qenë të vëmendshëm gjatë këtyre viteve, muajve dhe kanë parë përpjekjet e Lulzim Bashës për dekriminalizimin e institucione, dekriminalizimin e jetës shoqërore e politike të vendit dhe kanë shijuar edhe rrjedhojat e kësaj përpjekjeje, atëherë ata do të shpërblejnë PD-në dhe Lulzim Bashën me vota në zgjedhjet që do të vijnë. Atë ditë do të flasim për fitues dhe humbës. Sot nuk ka të tillë në politikë. Në fakt, ajo që është e prekëse sot është fitorja e qytetarëve të ndershëm, pavarësisht nëse votojnë e kë votojnë mbi kanabisin, mbi të poshtrit që vlejnë vetëm për punë të poshtra dhe kanë fituar edhe shpresën për një gjyqësor të vërtetë dhe politikë të pastër, jo sot, por nesër.

Po kush humbi sot nga kjo marrëveshje?

Të parët humbën ata që nuk e duan Europën dhe BE-në, sepse në këtë anarki postdiktatoriale u bënë të pasur pa vënë në punë as mendjen as muskujt, por duke shkelur ligjet. Humbën kokëboshët klientelistë që dora–dorës do të bëhen të përdorshëm nga politika në të mirë të tyre dhe në dëm të qytetarëve. Humbën gjyqtarët, prokurorët, politikanët e shënjuar me balën e zezë nga miqtë euroatlantikë, të cilët ky vend i ka mbajtur mbi qafë. Humbën ata që kanë ndikuar deri edhe në parlament për të bërë ligje në të mirë të bizneseve dhe fitimeve të tyre dhe në dëm të qytetarëve. Humbën…, por shumica fitoi.

Çdo shenjë triumfalizmi është sa primitive aq edhe e gënjeshtërt nga cilado anë që të shfaqet.

*publicist

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting