Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Rehabilitimi i jeniçerëve: nga Ali Pasha tek Enver Pasha. - Struga.net

Rehabilitimi i jeniçerëve: nga Ali Pasha tek Enver Pasha.

0
grid

Nga Grid Rroji

Në një shkrim të botuar tek e përjavshmja JAVA, Pëllumb Xhufi jep argumentin e familjes mbi rehabilitimin e figurës së Enver Hoxhës. Xhufi bazohet në një argument, nacionalizmin e supozuar të Hoxhës dhe mbështetjen që ai i dha Kosovës.

Ndonëse Xhufi e mbështet argumentin e tij në disa studime akademike të brendshme e të jashtme, argumenti i familjes të cilin ai e paraqet është i rrejshëm dhe bazohet në disa shtrembërime të dukshme.

Ka tre fenomene historike shumë të rëndësishme të cilat informojnë veprimtarinë e Enver Hoxhës, dhe të cilat shtrembërohen nga Xhufi me gjasë me vetëdije.

Së pari, Enver Hoxha nuk e mbrojti Shqipërinë londineze siç pretendohet nga Xhufi por mbrojti pushtetin e tij. Mbrojtja e kufijve dhe e sovranitetit, forcimi i strukturave të brendshme dhe atyre të sigurisë nuk u bënë për të ruajtur apo konsoliduar shtetin shqiptar, kushdo që të ishte në pushtet. Siç vëren me të drejtë edhe Xhufi, Enver Hoxha nuk kishte komplekse nga eliminimi i shokëve të luftës kur vinte puna për pushtet. Shteti terrorist i krijuar prej tij ishte i ndërtuar për t’i shërbyer atij dhe familjes së tij, dhe nuk mund të mbijetonte gjatë pas rënies së kultit të tij. Ndërsa një shtet i konsoliduar i qëndron tallazeve historike sepse përbën një sintezë sigurie për kombin. Pra, Enveri kujdesej për pushtetin e jo për shtetin si entitet i qëndrueshëm e aq më pak për kombin.

Së dyti, nacionalizmi në Kosovë nuk u krijua e as aktivizua nga Hoxha siç pretendon Xhufi. Përkundrazi tradita kombëtariste ishte shumë e fortë në Kosovë, u mbajt gjallë dhe u përtëri ndër vite nëpër sinoret e Kosovës dhe vetëm kur u bë fakt i pakapërcyeshëm dhe i mohueshëm u përdor nga Hoxha për të forcuar pushtetin e vet me anë të një nacionalizmi retorik. Me të drejtë, Xhufi përmend fobitë e Hoxhës ndaj shumëkujt por veçanërisht ndaj Titos. Do të kishte qenë intelektualisht më e ndershme nëse ai tregonte për publikun edhe kulisat e prishjes së Shqipërisë me Kinën të cilat kalonin nëpër Jugosllavi, një fakt ky jo fort i njohur për publikun. Pra, mbështetja që ju dha frymës kombëtariste në Kosovë nuk ishte kurrsesi origjina e kombëtarizmit siç pretendon familja Hoxha, e as ishte veprimi mbështetës i Hoxhës në funksion të kombëtarizmit.

Së treti, pushteti hoxhian, ndryshe nga çdo implikim kombëtarist ishte i ndërtuar në mbrojtje të jeniçerëve të Jugut duke diskriminuar tërësisht Veriun e Shqipërisë londineze, pikërisht për shkak së Hoxha i trembej solidaritetit geg mes Veriut dhe Kosovës. Në këtë qasje Hoxha ishte anti-kombëtarist sepse me anë të politikave të tija krijoi dhe thelloi ndasitë krahinore, pasojat e të cilave i përjetojmë edhe në politikën e sotme. Më tej, Xhufi citon disa vepra e shkrime të Enverit që dihen ishin të shkruara nga specialistët përkatës, e jo nga ai vetë, por harron të përmendë klanet që ekzistonin brenda strukturave të pushtetit hoxhist. Hoxha ishte mjeshtër i krijimit të ndasive klanore dhe përdorimit të njërit klan për të eliminuar rivalët e mundshëm brenda klanit tjetër. Më pas, ai nuk ngurronte të rehabilitonte klanin e dobësuar e ta përdorte për të dobësuar atë që ishte forcuar. Origjina klanore, e shpeshherë edhe aq e thjeshtë sa të qenit nga i njëjti fshat, përvijoheshin qartë në organet e shtetit të Hoxhës. Drejtori të tëra ishin nga e njëjta krahinë, sigurimi ishte i ndarë si me thikë ndër klanet, dhe secilës strukturë i mbivendosej një apo më shumë të tjera në mënyrë që Hoxha të kontrollonte të tërën me anë të ndasive mes tyre.

Në këtë pikëvështrim, kjo qasje rehabilituese i ngjason si dy pika uji rehabilitimit të Jeniçerit par excellence Ali Pashait, i cili shiti Jugun e Shqipërisë për të ruajtur pushtetin në pashallëkun e vet. Njësoj si ai, Enver Hoxha e shiti Kosovën për të ruajtur pushtetin brenda Shqipërisë londineze.

Në fund por jo për nga rëndësia, Xhufi duket së është i ndërgjegjshëm se brenda spektrit të parisë së Tiranës nuk ka nga vjen kundërshtimi për këto teza rehabilituese anti-kombëtare.

Sali Berisha është prodhim i mirëfilltë i Enverizmit, vepron dhe jeton me atë mendësi dhe e gjithë karriera e tij politike bazohet në parimet që mësoi tek partia e Enver Hoxhës. Jo vetëm aq, po ai ja ka arritur që të infektojë çdo qelizë të PD-s me enverizëm latent siç duket nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të PD-së ndër vite të cilat fillojnë detyrimisht me “Sali Berisha udhëheqësi legjendar”.

Më anë tjetër, PS-ja është pjellë e drejtpërdrejtë e strukturave të PPSH-së dhe lufta e klaneve në PPSH është transferuar e plotë në PS. Ilir Meta si mbështetës i familjes Hoxha, është etalon edhe pse marrëdhëniet u ftohën gjatë “tradhtisë” me Berishësn. Edi Rama, ndonëse me një të kaluar anarkike e detyrimisht anti Enveriste, përfaqëson tashmë interesat e klaneve më të fuqishme brenda ish nomenklaturës dhe ka shitur idealizmin e rinisë për pushtetin.

Pra, kjo përpjekje për të rehabilituar Enver Hoxhën është për t’a shprehur me fjalët e Xhufit “anti-historike”. Xhufi thotë se “nacionalizmi i tij mbulohej nga një dallgët e një dogmatizmi ideologjik, që në vitet e pleqërisë u bë mbytës”, por e vërteta e pastër është se ky dogmatizëm ishte mbytës që në fillim të karrierës politike të Hoxhës. Si i tillë ai ishte thjesht një pasha komunist e anti-kombëtar.

Shënim-Nj
ë version më i hershëm i këtij shkrimi i referohej Pëllumb Xhafës dhe jo autorit real të shkrimit të JAVA historianit Prof. Pëllumb Xhufi. Gabimi i detyrohej referencës së gazetës TemA e cila e kishte po ashtu marrë emrin e gabuar. I kërkojmë ndjesë lexuesve.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting