Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Të mbajmë Amerikën brenda, Rusinë jashtë dhe shqiptarët bashkë - Struga.net

Të mbajmë Amerikën brenda, Rusinë jashtë dhe shqiptarët bashkë

0

Nga Gentian Gaba*

“Të mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët poshtë” – me këto fjalë Sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s, Lord Ismay, shpjegonte qëllimin e aleancës ushtarake. Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, pas një periudhe në të cilën dobishmëria e NATO-s u vendos në dyshim, ky përcaktim gjen një vlefshmëri goditëse për rivlerësimin e organizatës me bazë në Bruksel.

Fundi i Luftës së Ftohtë dhe vdekja e qetë e Bashkimit Sovjetik e lanë Aleancën pa një armik. Analistë të ndryshëm sugjeronin se kishte ardhur fundi i NATO-s, ndërsa të tjerë këshillonin përfshirjen e Rusisë. Fajkonjtë e mbrojtën atë, anëtarësimi i Federatës ruse u ndalua pasi do ta bënte të ngjashme me Paktin e Lokarnos, marrëveshja që i hapi rrugën në Lidhjen e Kombeve Gjermanisë në 1926, por njëkohësisht shënoi edhe premisat e bllokimit të kësaj organizate ndërkombëtare.

“Po më mbarojnë demonët, po më mbarojnë armiqtë. Kemi mbetur vetëm me Kim Il Sung dhe Fidel Kastro” deklaronte Colin Powell për Joint Chiefs Staff.

Dyshimet mbi të ardhmen u zbehën me kohën dhe me kalimin nga një organizatë mbrojtëse në një organizatë me “përgjegjësi për të mbrojtur”. Aleanca zgjeroi numrin e anëtarëve, biles penetroi edhe në ato shtete që ishin dikur përtej perdes të hekurt, pra duke përfituar nga dobësia e Rusisë anëtarësoi shtete që historikisht kanë qenë pjesë e sferës së influencës ruse.

Ky proces, i bërë bashkë më zgjerimin e Bashkimit Europian, e antagonizoi Rusinë, e cila edhe pse nuk gëzon më një fuqi globale konkurruese, nën lidershipin e Putinit po ndjek atë politikë të jashtme që Rusia ka iniciuar me Pjetrin e Madh dhe nuk ka hequr kurrë nga agjenda e saj strategjike.

Ndërrimi i stafetës në Shtëpinë e Bardhë midis Obamës dhe Trumpit krijoi një pasiguri të madhe mbi të ardhmen e Aleancës, sidomos për shkak të deklaratave që e përshkruanin NATO-n si obsolete. Por sikurse ndodhi për Putinin – në fazën e parë të rimëkëmbjes së Rusisë uli tensionin me Perëndimin dhe pastaj u kthye në atë që është “grand design” i fuqisë euroaziatike – Trumpi shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga retorika populiste. Në politikën e jashtme nisi të ndjekë dinamikat që një fuqi e madhe si Amerika i ka të rrënjosura në kulturën e saj strategjike, në interesat që burojnë nga statusi i saj ndërkombëtar.

NATO-s iu kthye lideri hegjemon pa të cilin institucioni do të ishte shuar, sidomos nëse roli udhëheqës do të ishte marrë nga Gjermania ose ndonjë aktor europian. Europa ka qenë gjithmonë e aftë në bllokimin e rolit hegjemonik të aktorëve kontinentalë.

Ndërhyrja në Siri, përdorimi i “bombës mëmë” kundër ISIS, dërgimi i aeroplanmbajtëses Karl Vinson në drejtim të Koresë së Veriut në formë presioni, nënshkrimi i protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dikton qasjen realpolitke të Trumpit. Aleanca jo vetëm që nuk është më obsolete por vazhdon të përhapet dhe të përbëjë një oponencë ndaj Rusisë sidomos në Ballkan. Ky rajon do të jetë fushëbeteja e ardhshme për amerikanët dhe rusët. Për këtë arsye, fundi i debatit për të ardhmen e NATO-s ndikon pozitivisht mbi të ardhmen strategjike të Shqipërisë. Integrimi i Malit të Zi, përjashtimi i Serbisë (për vullnet të serbëve por edhe si pasojë e lidershipit rus) sugjerojnë se faktori shqiptar do të jetë përcaktues në zhvillimet e rajonit. Nëse politika kombëtare do t’i mbijetojë strategjisë dividi et impera (përça edhe sundo) që Rusia po zbaton në rajon, NATO do të vazhdojë të kryejë për Ballkanin Perëndimor atë funksion që kreu për Europën gjatë Luftës së Ftohtë. Për të parafrazuar Lord Ismay, funksioni i Aleancës në rajon do të jetë: mbajtja e amerikanëve brenda, pra të përfshirë në çështjet e sigurisë jetike edhe për shqiptarët; rusët jashtë, pra të bllokuar nga deterenca që ushtron prania amerikane; shqiptarët e bashkuar, jo nëpërmjet një bashkimi de jure të popullsisë shqipfolëse, pasi kjo çështje ka nevojë për një kohë shumë të gjatë, por në formën e një mburoje ndaj ekspansionizmit sllavo/rus. Këtë funksion kishte grushti i shtetit i tentuar në Malin e Zi, bllokimi i minorancës shqiptare shtetformuese në Maqedoni dhe deklaratat e Vuçiç për projektin politik/ekonomik si ai i ish-Jugosllavisë, por me Shqipërinë në të.

*Msc Marrëdhënie Ndërkombëtare

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting