Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Të mërziturit nga mbyllja e çadrës - Struga.net

Të mërziturit nga mbyllja e çadrës

0

Nga Roland Lami*

Më së fundmi dy liderët kryesorë politikë mbyllën marrëveshjen për të cilën detajet u zbuluan orë më vonë. Lajmi i mirë është se procesi zgjedhor më së fundmi futet në normalitet dhe partitë politike i nënshtrohen logjikës politike dhe juridike dhe jo më logjikës së forcës. Mirëpo si në çdo ngjarje, fundi i saj nuk i kënaq të gjithë. Të mërziturit e parë janë brenda PD, jo pak individë në strukturat drejtuese të partisë sot gjenden pa rol. Roli i mëparshëm i tyre i orientuar më së shumti te veprimi dhe jo te mendimi, tek arsyeja e forcës dhe jo shumë te forca e arsyes, i detyron ata me normalizimin e situatës t’iu lënë vendin individëve me arsye, formim profesional dhe eksperiencë partiake pasi fushata filloi. Të mërziturit e dytë janë strategët apo ideatorët që shpresuan apo idealizuan me imagjinatën e tyre mbi shtetin se më së fundmi me aksionin politik të opozitës do të materializohej “Republika e Re”. Mirëpo, siç ndodh në çdo raport ide – veprim, filozof – politikan, edhe në këtë rast predominojë logjika pragmatiste mbi atë konceptuale. Koha e ideologut dhe koha e politikanit nuk përputhen, prandaj zhgënjimi për të parët është i pashmangshëm siç është po kaq e vërtetë nevoja e politikës për të marketuar idetë e ideologëve në rast krize.

Të mërziturit nga kjo marrëveshje është vetë PS. Lidershipi i saj duke shpresuar te një insistim i PD për të mos u futur në zgjedhje, mendoj se mund ta kishte më të lehtë sigurimin e një shumice të thjeshtë pa patur nevojën e ndonjë aleati të mundshëm, mjafton të shikosh listën e kandidatëve dhe renditjen e figura kryesore në këto lista për ta nënkuptuar këtë gjë. Madje, fushatën nga pikëpamja e përmbajtjes e kishte të bërë pasi teza Reforma në Drejtësi dhe sjellja antishtet e PD e bënte të panevojshme kthimin te bilanci i qeverisjes katërvjeçare. Tani, në kushtet e përfshirjes së opozitës në zgjedhje do t’i duhet të riorganizojë listën e kandidateve, ligjërimin e fushatës dhe argumentet për të justifikuar zëvendësimin e një numri jo të vogël ministrash në fund të mandatit, pranimin e problemit të kanabizimit të vendit etj.

Të mërziturit e tjerë nga marrëveshja është LSI. Ndryshe nga çfarë ka ndodhur më parë ku LSI jo vetëm ishte prezent në tryezat e organizuara mes dy liderëve por në jo pak raste ka luajtur rolin e negociatorit mes PD–PS. Kësaj here qëndrimi kokë më kokë i dy liderëve kryesorë për një kohë të gjatë ka lënë të kuptohet se marrëveshjet e mëdha zgjidhen tani e tutje mes dy të mëdhenjve. Konfigurimi i skenës politike tashmë është bipolare, jo më tripolare. Sot e tutje LSI për shkak dhe të rrethanave të reja të krijuara brenda saj dhe jashtë saj nuk shihet më si e përkëdhelura e dy forcave politike që garonin mes tyre për ta patur aleat parazgjedhor, përkundrazi, kjo forcë politike tashmë është si çdo forcë tjetër politike e ashtuquajtur e vogël. Në këto rrethana të reja, kësaj force politike i lind nevoja të rimendojë strategjinë e saj, e cila nuk mund të jetë më ajo mbi palët apo siç etiketohet në disa raste me gjuhën gazetareske “Parti Presidenciale” por parti garuese që duhet të ndërtojë identitetin dhe programin e saj politik.

Të mërziturit e tjerë nga marrëveshja janë partitë e sapokrijuara që konkurrojnë për herë të parë në zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Në kushtet kur nuk kishte asnjë koalicion partish të regjistruara dhe ajo që është më e rëndësishmja opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, mundësia për të thithur votuesit e djathtë apo ata të qendrës së djathtë ishte shumë herë më e lartë se ç’mund të jetë në kushtet e zhvillimit normal të zgjedhjeve dhe garimit të opozitës. Po ashtu, zgjatja e krizës politike shtyn elektoratin e paqëndrueshëm që të orientojë votën drejt ndryshimit të establishmentit politik më shumë se në kushtet kur ka normalitet politik. Mirëpo, futja e procesit zgjedhor në normalitet në aspektin e ligjërimit, rikompozimit të koalicioneve parazgjedhore dhe garës elektorale minimizon mundësinë e partive të sapokrijuara të maksimizojnë mundësinë e akumulimit më të madh të votave.

Së fundmi, të mërziturit e tjerë nga arritja e negocimit dhe futja e situatës politike në normalitet janë një pjesë e analistëve, opinionistëve që deri dje ftoheshin në studio për të komunikuar të rejat e fundit nga çadra dhe jashtë saj, korridoret e kryeministrisë, selive politike, ndonjë detaj që nuk u bë publik nga takimi me ambasadorët, sms e eksponentëve të rëndësishëm politikë që shprehen për situatën. Në jo pak raste analistët, opinionistët u shndërruan në gazetarë investigativë apo terreni më shumë se sa në interpretues apo shpjegues të situatës politike. Gara mes tyre ishte kush ka lajmin e fundit, konspiracionin e radhës apo informacionin për atë që do të ndodhë të nesërmen. Tashmë, situata ndryshon dhe roli apo misioni i tyre detyrohet të modifikohet, nga ai i gazetarisë investigative apo gazetarë terreni në ekspert që njeh Kodin Zgjedhor, fushatën elektorale, sjelljen e votuesit apo sistemin partiak. Thua e kanë këtë aftësi dhe njohje?

*pedagog, UET

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting