Minibus Hire Minibus Hire York Minibus Hire Liverpool Local minibus Hire Minibus Hire in Manchester Minibus Hire Newcastle Minibus Hire
Trafik me mendtë e Sali Berishës! - Struga.net

Trafik me mendtë e Sali Berishës!

0
mero

Nga Mero Baze

Ajo që është interesante për t’u raportuar për operacionin e transportit të drogës me avionë nga Shqipëria drejt Italisë, është fakti që dy bashkëpuntorët, piloti dhe shitësi i drogës, janë bindur për suksesin pasi kanë dëgjuar nga media shqiptare për akuzat e bëra, se në Divjakë ulen avionë droge. E vetmja dëshmi qesharake e trafikantit të arrestuar është se ai u bind që kjo mund të bëhej, pasi dëgjoi disa herë në parlament dhe media, se droga transportohej me avion nga Divjaka. Dhe, pas kësaj i kanë hyrë punës. Janë bërë bashkë piloti, trafikanti dhe droga dhe në momentin e fundit të gjitha gjërat ka dështuar, për shkak të policisë.

Edhe pse tragji-komik si rrëfim, ky në të vërtetë është thelbi i asaj se çfarë ngjit nga Sali Berisha në akuzat për drogën.

Kur Sali Berisha e nisi këtë betejë dy muaj më parë, nuk e nisi të udhëzonte trafikantët se ku duhet ta merrnin drogën, por të bindte Bashkimin Evropian se Shqipëria është një kartel droge. Dy muaj më parë ai e nisi si betejë kundër imazhit të ushtrisë shqiptare, duke e krahasuar atë me Eskobarin, dhe vazhdoi si betejë për implikimin e shtetit shqiptar në këtë trafik. Kjo nuk ishte një betejë për të udhëzuar këtë trafikant fatkeq, por për të bindur Brukselin të mos i japë Shqipërisë statusin në Qershor. Ai shpresonte të bindte Stefan Fylen, por në fakt bindi vetëm Saimir Bajramin dhe pilotin italian.

Synimi ishte dhe është që deri në qershor, të vetmet lajme nga Shqipëria të jenë droga dhe krimi.

Tani, Berisha mendon se i ka rënë fati nga qielli “në prehër” siç thotë Basha. Është aq i ekzaltuar, sa të paktën një njeri e ka besuar dhe ka tentuar ta vërë në veprim aluçinacionin e tij për trafik droge me avion, sa mendon se me këtë, bën “fakt të kryer” gjithë pjesën tjetër të tregimit të tij. Ai nuk shikon tek avioni në rërë dy viktima të idiotësive të tij, por policinë, ushtrinë dhe gjithë shtetin shqiptar.

Sot piloti italian dhe trafikanti shqiptar, janë në të vërtetë heronjtë real të Berishës, dhe një arritje konkrete e tij. Broçkullat e tij në Kuvend dhe në medie, janë marrë së paku diku seriozisht. Duke jetuar jashtë këtij vendi, duke e ditur që akuzat i bënte dikush që ka qenë kryeministër, me sa duket dy viktimat e përrallave të tij e besuan këtë histori dhe tentuan ta vënë në jetë. Berishën kjo e ekzalton aq shumë, sa duket sikur këtu erdhën dy trafikantë të transportonin drogë dhe ata i kapi Sali Berisha. Dhe, meqë një trafikant e kishte dhe emrin Saimir, duket sikur Berisha ka kapur me drogë në dorë Saimir Tahirin.

Edhe pse tragji-komike, në fundin e vet, kjo është një histori e vërtetë suksesi e Sali Berishës. Bile suksesi i vetëm i tij. Ky është argumenti që një i çmendur, çmend gjithë dynjanë që nuk e njeh. Në gjithë këtë histori, së paku Sali Berishës i duhet njohur merita që ka bindur dy vetë ta bëjnë atë që e prodhoi si skenar për të baltosur shtetin shqiptar. I duhet njohur merita dhe për faktin se arriti të provojë që policia shqiptare është më e aftë seç duket për të paralizuar një trafik të tillë.

Por, Sali Berisha nuk e nisi këtë betejë për të bindur dy ditëzinjtë të merrnin avionin e të uleshin në Divjakë. Ai e nisi këtë betejë të lërë Shqipërinë jashtë Evropës në qershor të këtij viti. Ai e nisi të bindë Evropën që ky vend është një kartel droge që duhet mbajtur i izoluar. E nisi se mendon që nëse ky vend merrr statusin në qershor, ai do duket si një qen i rrahur dhe pa vlerë duke lehur rrugëve.

Vala e parë e zhurmës së tij e ndihmoi qeverinë, në vend që ta dëmtonte. NATO, SHBA dhe zyrtarë të rëndësishëm perëndimorë e panë atë si një ligësi të një plaku të humbur. Tani shpresa e tij e re janë dy viktimat që u kapën në Divjakë. Duke qenë një histori vërtet tragji-komike për ta, kjo është një histori që do tregohet më gjatë se idiotësitë e para që tha. Por, nuk do të tregohet për të njollosur Shqipërinë, dhe as policinë shqiptare, por për të dëshmuar se dhe një i çmendur ka fatin e tij, pasi krijon viktimat e veta. Por, Statusi i Shqipërisë, nuk është më në dorë të këtij të çmenduri për fatin tonë. Ky vetëm mund të na ndihmojë, duke e treguar si rast, se prej kujt duhet të shpëtojmë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2017 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Kosova Sot | Lajme Sportive | Rilindja | Kercova

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting