Xhandarmëria serbe vazhdon të cenojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kësaj radhe xhandarmëria e ka shfrytëzuar prezencën e KFOR-it dhe sërish ka hyrë tek vendi i quajtur “Uji i Çeshmës ” në Karaçevë, që ndodhet në brendi të territorit të Kosovës.
Ramadan Guda, drejtor në shkollën fillore “Asllan Thaçi” në Karaçevë të Poshtme tha për rajonipress se rreth 10 pjesëtar të xhandarmërisë serbe i ka parë të shtunën rreth orës 11.00 tek “Uji i Çeshmës ”.
“Ne filluam të incizojmë praninë e tyre dhe për një kohë të shkurtër erdhën edhe KFOR-i”, tha Guda, transmeton rajonipress.
Guda tha se kjo ndërhyrje po shqetëson banorët e brezit kufitar, “ sepse edhe nëse do të shfrytëzohej ky vend për bisedime teknike për ne sërish është e patolerueshme”.
Edhe Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit, tha se këto provokime vetëm sa po e ngjallin frikën dhe pasigurinë tek banorët e mbetur.
“Nëse kështu vazhdohet edhe në ditët e verës atëherë Karaçeva mund të zbrazet. Ky nuk është alarm, por kjo çka ne po e themi është realitet, sepse nuk jetohet tërë jetën me frikë e me tyta të automatikëve përballë”, tha Lenjani.
…