minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme
Mirëmbajtja e Gjirokastrës i besohet fondacionit turk TIKA - Struga.net

Mirëmbajtja e Gjirokastrës i besohet fondacionit turk TIKA

0
kumbaro

Hapi i parë i qeverisë së re për rijetëzimin sipas standardeve të UNESKO-s të monumenteve të trashëgimisë Kulturore, është hedhur dje në Ministrinë e Kulturës. Ministrja Mirela Kumbaro ka nënshkruar marrëveshjejen e bashkëpunimit lidhur me ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës me fondacionin turk TIKA.

Marrëveshja vjen në vijim të takimit dypalësh në Prishtinë në tetor të vitit të shkuar, ndërmjet kryeministrave tё Shqipёrisё dhe Turqisё mbi intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe në vijim të protokollit të përbashkët të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, arteve, rinisë, sporteve, masmedias dhe kontakteve ndërmjet njerëzve.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e cila vjen në vazhdën e takimit të dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Turqisë dhe falenderoi Fondacionin TIKA për të gjithë mbështetjen e deritanishme në Shqipëri. Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidajet Bajraktar, theksoi se “Marrëdhëniet me Ministrinë e Kulturës janë shumë të mira dhe rehabilitimi i qendrës historike të Gjirokastrës është një tregues kuptimplotë i marrëdhënies së Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit TIKA.

Me këtë marrëveshje pasurohen më tej marrëdhëniet tona, çka është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Turqinë. Është një shans i mirë për të treguar se mund të ruajmë monumentet e kulturës me efikasitet të lartë. Gjej rastin të falënderoj ministren Kumbaro dhe të gjithë ata që kontribuan në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.”

Koordinatori i programit të Agjencisë Ndërkombëtare Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në Tiranë, Prof.Dr. Birol Çetin u shpreh se: “Hapi i mëvonshëm i kësaj marrëveshjeje do të jetë rilevimi dhe ndërtimi në 3D i qendrës historike, i cili do të përcaktojë ndërhyrjet e duhura në monumentet e veçanta të kulturës në qendrën historike të Gjirokastrës sipas specifikimeve teknike dhe prioriteteve që do të paraqiten prej grupit të punës”, citon “Shqiptarja.com”.

Kjo marrëveshje mundëson angazhimin e Ministrisë së Kulturës dhe Kryesisë së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), lidhur me ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës, në zbatim të rekomandimeve të UNESCO-s, që konsistojnë ndër të tjera në studimin, dokumentimin, projektimin, konservimin dhe restaurimin e monumenteve të veçanta si dhe gjithë qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës.

U ra dakord të ngrihet grupi i punës me përfaqësues nga të dy palët, të cilët do të punojnë intesivisht për identifikimin e monumenteve të kulturës, të cilët do t’i nënshtrohen studimit, dokumentimit, projektimit, konservimit dhe restaurimit, si dhe për monitorimin dhe zbatimin e këtyre projekteve. Marrëveshja u nënshkrua nga sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, znj. Elira Kokona dhe Koordinatori TIKA-s në Tiranë, Prof.Dr. Birol Çetin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy