minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Andi Bushati: Tani Edi të puthet me Milon - Struga.net

Andi Bushati: Tani Edi të puthet me Milon

0

Rezultati i zgjedhjeve në Mal të Zi ishte një shpullë e papritur ndaj elitave të verbëra të perëndimit, ndaj burokratëve të Brukselit dhe atyre që e përdorën kryeministrin tonë Edi Rama, si një kamardare shpëtimi të minutave të fundit. Partia e Milo Gjukanoviçit, autokratit që e drejton vendin e tij si një ndërmarrje private, mori rezultatin më të keq të mundëshëm në 30 vitet e fundit. Ndonëse social-demokratët arritën të dalin parti e parë, duke lënë me 2% mbrapa nacionalistët pro serbë, këta të fundit, nëse i’a dalin të thurrin një koalicion në filigran me partitë liberale pro perendimore, mund ti japin fund regjimit të Podgoricës.

Pak rëndësi ka se çfarë do të ndodhë më pas dhe nëse virtuozi Gukanoviç, mandati i të cilit si president përfundon në 2023, do të arrijë ti’a hedhë edhe kësaj radhe. Mesazhi që dhanë zgjedhësit e fqinjit tonë të vogël prej 620 mijë banorësh ishte i qartë: përallat me pro dhe anti perendimorë nuk janë të mjaftueshme për të qenë një faktor elektoral në vende që udhëhiqen nga autokratë.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet që njeriu që i rezistoi Sllobodan Millosheviçit, ai që udhëhoqi me sukses referendumin për pavarësinë e vendit, duke marrë 55% të mbështetjes popullore, ai që njohu bashkë me SHBA, Gjermaninë e Britaninë , pavarësinë e Kosovës, ai që e futi vendin e tij në Nato dhe që është përpara të gjithë fqinjëve të Ballkanit perendimor në procesin e negociatave më BE, të fitojë gjithnjë e më pak vota në vendin e tij.

Kjo anë e medaljes e ish drejtorit të doganave të fundshekullit të kaluar, që e ktheu republikën e tij të vogël në një parajsë për mafiozët dhe kontrabanistët italianë të cigareve, nuk mund të mbulojë fytyrën e tij të vërtetë. Pas të përkëdhëlurtit të perëndimit fshihej gjithnjë njeriu, emri i të cilit dilte në deponimet e të penduarve të Camorra-s e Sacra Corona Unita-s. Artikuj të shumtë të mediave serioze e përshkruajnë atë si pronarin okult të disa hoteleve me 5 yje në bregdet. Ato e paraqesin familjen Gukanoviç si pronaren relae të vendit, ku për fatin e një prone shtetërore, në muret e qytetit të vjetër të Budvës, mund të vendosë një gjykatëse e lartë si Ana Kolarevic, që është motra e Milos, apo ku një bankë private mund të shpëtohet vetëm se është pronë e vëllait të presidentit, Ako Gjukanoviç.

Përpos pasurisë personale marramendëse që sipas “The independent” i kalon 12 milionë euro, Gjukanoviç ka ngritur në vendin e tij një sistem krejt të kundërt me vlerat perendimore. Ai ka qenë, si një paraprijës i modelit putinian, gjashtë herë kryeministër, ka bërë dy tërheqje nga politika duke e drejtuar vendin nga zyra e kreut të partisë social demokrate dhe është votuar dy herë si president. Ai është treguar tejet represiv me mediat opozitare dhe shumë i ashpër me OJF që kanë denoncuar abuzimet e pushtetit të tij.

Dhe pavarësisht të gjitha këtyre atij i kanë ngjitur mbi shpinë etiketën e pro perendimorit, vetëm se di në mënyrë të shkëlqyer të luajë rolin e “yes man-it’ që mer legjitimitetin nga jashtë për të zhvatur dhe sunduar shumicën e qytetarëve të vet.
Pikërisht për këtë rezultati i zgjedhjeve të 30 korrikut përbën një risi. Ato dëshmuan se kjo fabul nuk pi dot ujë përjetësisht. Dhe ndonëse është e vërtetë që një pjesë e malazezëve janë pro serbë (mbi 30% e popullsisë janë vetëdeklaruar si të tillë), ajo që ndodhi këtë të dielë nuk mund të shihet vetëm si një arenë beteje ku përplasen Rusia me demokracitë liberale.

Reduktimi drastik i votave pro Gjukanoviçit, kësaj radhe, tregon se një pjesë e popullsisë që dikur votonte pro tij, pikërisht ajo që nuk u gënjye më nga etiketat pro dhe anti perendimor, nuk e përtyp dot pambarimisht demokracinë si një produkt që ia imponojnë me dhunë nga jashtë, por si një realitet që do ta prekë dhe ta jetojë përditë.

E këtu edhe kryeministri Rama, që u keqpërdor me qëllim, duke u bërë thirje në sllavisht qytetarëve që të votonin në favor të autokratit të tyre edhe ata ndërkombëtarë që e yshtën ta bëjë këtë në emër të stabilitetit, kanë marrë sinjalin e duhur.

Apeli për tu bërë bashkë rreth Gjukanoviçit nuk pati më shumë vlerë sesa një puthje me Milon. E në këtë kuptim ky është një mesazh për tu duartrokitur. Pasi tregon se as në këtë rajon, njerëzit nuk i durojnë dot më anti demokratët që shiten si pro perendimorë.(lapsi)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy