minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Arkeologët kërkojnë shtimin e pavijoneve në muzeun arkeologjik të Durrësit - Struga.net

Arkeologët kërkojnë shtimin e pavijoneve në muzeun arkeologjik të Durrësit

0

18-vjet pas përurimit të muzeut të ri arkeologjik të Durrësit, gjysma e tij qëndron bosh në pritje të hapjes së pavijoneve të mesjetës dhe të arkeologjisë nënujore.

Nga Gëzim Kabashi

Vizitorët e muzeut arkeologjik në Durrës e ndërpresin shëtitjen e tyre në historinë e qytetit antik, që në eksponatet e katit të parë.

Një kordon dekorativ nuk i lejon ata të vijojnë vizitën në katin e dytë dhe të tretë.

Muzeu kombëtar arkeologjik, i përuruar 18 vjet më parë, ka shfrytëzuar deri tani vetëm gjysmën e kapacitetit ekspozues të tij.

Në katin e parë të godinës janë sistemuar objektet arkeologjike, që datojnë nga fillimet e jetës së qytetit antik deri në shek. 4-rt të erës sonë, ndërsa dy katet e sipërm vazhdojnë të jenë të boshatisur.

Përpjekjet për ekspozimin e objekteve që i përkasin periudhës bizantine mesjetare, si dhe asaj otomane, deri tani kanë dështuar.

“Vendimin për krijimin e dy pavijoneve të rinj në muzeun arkeologjik të Durrësit mund ta marrë vetëm Ministria e Kulturës, e cila e ka në vartësi këtë muzeu,” tha për BIRN drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita.

Propozimet e Institutit për krijimin e pavijoneve të Mesjetës në katin e dytë si dhe atë të Lundrimit në katin e sipërm të godinës me arkitekturë kubike nuk kanë marrë ende përgjigje.

Prof. Përzhita thotë se në të dy pavijonet mund të paraqiten edhe objekte të zbuluara jashtë territorit të Durrësit, duke i dhënë një vlerë kombëtare Muzeut që tashmë e ka marrë zyrtarisht këtë emërtim.

Në sallën e boshatisur të katit të tretë dy vjet më parë restauratorët rikrijuan “doliumin” – një enë për transportin detar të verës, pjesët e së cilës u zbuluan jo shumë larg brigjeve të Durrësit.

Ky është i  vetmi objekt i arkeologjisë nënujore që ka zënë vend në katin e sipërm, por specialistët mendojnë se nëse i kushtohet objekteve të zbuluara nën ujë, pavijoni duhet të  përfshijë jo vetëm gjetjet e bregdetit shqiptar në përgjithësi, por edhe ato të nxjerra kohët e fundit nga ujërat e liqenit të Ohrit.

“Ne i kemi propozuar Ministrisë së Kulturës edhe ngritjen pranë Mauzoleut të Dëshmorëve në Durrës të një laboratori restaurues, për rreth 1,200 objekte të zbuluara nën ujë,” shtoi drejtori i IA, Luan Përzhita.

Historia e ndërtimit të Muzeut Arkeologjik në Durrës nis në vitin 1982, kur ish-drejtori Vangjel Toçi paraqiti bashkë me projektin edhe platformën e ekspozitës së ardhshme për periudhat e antikitetit dhe të mesjetës.

Për ngritjen dhe sistemimin e Muzeut u desh të kalonin 20 vjet, ndërsa u krye edhe kalimi i të gjitha objekteve dhe fondit mjaft  të pasur nga muzeu i vjetër në rrugën “Taulantia” drejt muzeut të ri.

“Muzeu u përurua më 12 prill 2002 falë një investimi të qeverisë shqiptare dhe mbështetjes së qeverisë gjermane,” u shpreh për BIRN, prof. Afrim Hoti, i cili mbante detyrën e drejtorit në këtë periudhë. Ai kujton se në vitin 2005 një ekip specialistësh prezantoi platformën e pavijonit të mesjetës, së bashku me listën e objekteve arkeologjike që parashikohej të ekspozoheshin.

Sipas Hotit, edhe disa institucione të Kosovës u ofruan për ta mbështetur financiarisht hapjen e plotë të Muzeut.

Projekti u bllokua përfundimisht, kur muzeu kaloi nga vartësia e Institutit të Arkeologjisë, në atë të Ministrisë së Kulturës.

Edhe prof. Hoti e shikon plotësimin e dy kateve të pashfrytëzuara në funksion të periudhës së mesjetës, si dhe të arkeologjisë nënujore, e cila vitet e fundit ka krijuar një fond mjaft të mirë të objekteve të zbuluara në Orikum, Porto Palermo, në gjirin e Durrësit e në Kepin e Rodonit.

Alban Ramohito, drejtor i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, tha për BIRN se bashkë me dy katet e sipërme, synohet edhe plotësimi dhe sistemimi i oborrit të godinës.

“Sipërfaqet e ekspozimit në të dy katet ende të pashfrytëzuara janë përkatësisht 580 m2 dhe 260 m2, por një pjesë e objekteve mund të vendosen edhe në dy verandat me hapësira edhe më të mëdha ekspozimi,” tha Ramohito.

Grupi i specialistëve që do të punojë për projektin do të ketë edhe elementet e platformës së përgatitur vite më parë.

Viti që po mbyllet, me një numër mjaft të kufizuar turistësh për shkak të pandemisë, përbënte një rast mjaft të mirë për të punuar brenda muzeut pa shqetësuar vizitorët.

Kohët e fundit një grup ndërkombëtar specialistësh ka nisur punën për parkun arkeologjik të Durrësit, projekt i mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

“Ky është një rast shumë i mirë për ta plotësuar përfundimisht edhe muzeun kombëtar arkeologjik të Durrësit,” përfundoi prof. Luan Përzhita.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy