
Shqipëria meriton marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin Qershor. Ky është mendimi i ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Ambasadorit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi, i cili përfundoi mandatin në Shqipëri. Gjatë takimit në përfundim të misionit si Kreu i Delegacionit të BE-së për Shqipërinë, Berisha i konfirmoi diplomatit qëndrimin e palëkundur dhe pa kushte të opozitës në favor të integrimit europian.
Berisha i shprehu Ambasadorit, Sequi falenderimet për dedikimin e tij personal në suksesin e asistencës që Delegacion i BE-së i ka dhënë Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Komisioni si dhe i uroi atij suksese në detyrën e re të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme italiane dhe shprehu kënaqësinë që tashmë Shqipëria do të kishte një mik dhe një avokat të sajin në Farnesina.
Ambasadori, Sequi e falenderoi nga ana e tij, ish-kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe bashkepunimin e shkëlqyer përgjatë tre viteve të shërbimit në krye të Delegacionit të BE-së. Ai shprehu kënaqësinë që një pjesë të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Shqipëri duke kontribuar për një vend mik.
…