minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Dëshmia e gjeneralit italian: Ushtarët serbë të mbushur me morra, me rroba të shqyera dhe pa këpucë, i dorëzonin armët për një pulë apo gjel deti - Struga.net

Dëshmia e gjeneralit italian: Ushtarët serbë të mbushur me morra, me rroba të shqyera dhe pa këpucë, i dorëzonin armët për një pulë apo gjel deti

0

Memorie.al publikon dëshmitë e gjeneralit Italian, Emilio Bertotti, Komandant i Trupave Speciale në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, apo siç është njohur ndryshe si’ “Lufa e madhe”, ku midis të tjerash ai shkruan se: “Pasi u thyen nga austro-gjermanët, serbët e panë si shpëtimin e vetëm kalimin nëpër Shqipëri. Ushtarët serbë të mbetur pa këpucë e të zëvendësuara me copra bataniesh, me rroba të shqyera dhe të mbushur me morra e të pushtuar prej sëmundjeve, vazhdonin tërheqjen. Gjatë marshimit ushtarët dorzonin armët për një pulë apo gjel deti dhe oficerët shisnin kuajt dhe pajimet”. Historia e panjohur e Luftës së Parë Botërore në Shqipëri, e parë nga libri “Ekspedita jonë në Shqipëri” i shkruar nga gjenerali Italian që komandoi trupat special në vëndin tonë, i cili i referohet edhe kujtimeve të ish-kolegëve të tij, si çekosllovaku, Rudolf Prohaska, apo gjermani, Helmut Shvanke.

Nga Dashnor Kaloçi

Lufta e Parë Botërore e cila preku dhe Shqipërinë, është bërë objekt i hulmtimeve nga shumë historianë dhe studiues të huaj, të cilët duke shfrytëzuar kujtimet e botuara nga ish-ushtarakët që kanë qenë në Shqipëri, si dhe dokumentacionet e pasura që janë ruajtur nëpër arkivat e Italisë, Austro-Hungarisë, Pragës, Beogradit, e disa shteteve të tjera europiane të cilat u përfshinë në vorbullën e asaj lufte, herë pas here kanë botuar libra të cilët kanë ngjallur interesa nga lexuesit e shumtë. Materiali i botuar në këtë shkrim nga Memorie.al, është përgatitur nga kujtimet e gjeneralit italian Emilio Bertotti, i cili ka qenë komandant i Trupave Speciale në Shqipëri dhe i ka botuar ato në librin e tij “Ekspedita jonë në Shqipëri” ku ai u referohet dhe disa kolegëve të tij të ushtrive të tjera që asokohe kanë luftuar në territorin shqiptar, si p.sh., ish-oficerit gjerman, Helmut Shvanke, apo kujtimet ish-oficerit çekosllavak, Rudolf Prohaska, në një libër që ai e ka botuar në Pragë në vitin 1928, etj.

Vdekja e 43 mijë serbëve në Shqipëri

Duke parë se ushtria serbe e Krajl Pjetrit u mund përfundimisht në fushën e luftës nga ana e austriakëve, si rrugëzgjidhja e vetme për të shpëtuar të gjallë pjesën e mbetur të asaj ushtrie, u pa kalimi nëpër territorin shqiptar për të dalë në Detin Adriatik, e më pas për tu rikthyer në Beograd. Tërheqja e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, konsiderohet si një nga ngjarjet më tragjike të Luftës së Parë Botërore, apo siç njihet ndryshe nga studjuesit e shumtë që janë marrë me atë periudhë si: “Lufta e Madhe”.

Aty nga fillimi i tetorit 1915, pasi ushtria serbe u sulmua në pjesën veriore të saj nga forcat austro-gjermane dhe në lindje nga bullgarët, të cilët kishin si synim që të pengonin bashkimin e forcat franko-angleze, që ishin dislokuar në Luginën e Vardarit, ushtria serbe u detyrua që të sprapsej drejt përendimit, ku kishte mbështetjen e malazezëve. Pas këtij vendimi nga Nishi ku ishte dislokuar, filloi tërheqja e gjithë ushtrisë dhe në ballë të kolonës së gjatë prej 70 mijë forcash, ata kishin vënë robërit austro-hungarezë, të cilët i kishin zënë rob gjatë luftimeve që kishin zhvilluar në fazën e parë të luftës.

Sipas burimeve të ndryshme arkivore italiane, udhëtimi i asaj kolone të gjatë të forcave serbe nëpër malet dhe gërxhet me borë të Shqipërisë së Veriut, ishte një ferr i vërtetë për ushtrinë serbe, të cilët detyroheshin të marshonin ditë e natë pa pushim, për të shpëtuar nga hakmarrja e kundërshtarëve të tyre, që po i ndiqnin nga veriu dhe lindja e Serbisë. Gjatë atij marshimi raskapitës nga kushtet e vështira të motit, në rradhët e ushtrisë serbe e cila gjithashtu ishte dhe e paushqyer, pati humbje të mëdha prej epidemisë së tifos që preku një pjesë e madhe të ushtrisë, duke bërë që t’i shpëtojnë atij kalvari vetëm 27 mijë prej tyre. Lidhur me këtë ka shkruar në kujtimet e tija dhe ish-oficeri çekosllavak, Rudolf Prohaska, në një libër që e ka botuar në Pragë në vitin 1928.

Në kujtimet e tij, Prohaska shkruan: “Gjatë atyre dy muajve, tërheqja e robërve çekë së bashku me masën e robërve austro-hungarezë në krye të ushtrisë serbe, ishte një përvojë e tmerrëshme për ne. Asokohe ne ecnim e marshonim të raskapitur nëpër atë ngricë dhe acar, ku nga çasti në çast mund të gjenim vdekjen nga të papriturat e asaj rruge në shkrepa malesh të mbuluara me dëborë. Shumica e ushtarëve ishin të lehtësuar disi nga pajimet personale që mbanin mbi shpinë, sepse gjatë rrugës në afërsi të fshatrave ata i kishin shkëmbyer rrobat e batanijet me mish gjengji dhe patate, me banorët e rrallë të atyre zonave ku kaluam”.

Pas përshkrimeve të hollësishme të atij marshimi, ish-oficeri çekosllavak, Prohaska, i zënë rob nga forca e ushtrisë serbe, në librin e tij flet dhe për shqiptarët. Në mes të tjerash ai shkruan: “Të pajisur me një instikt të paepur për lirinë, por të privuar nga sensi i disiplinës, në rebelime të përgjakëshme e të vazhdueshme me autoritetet e veta, të papërgatitur për çdo shkëndijë të pranimit të shtetit dhe të ndarë në klane (fise) përjetësisht rivalizuese me njeri-tjetrin, ata preferonin më mirë të mereshin vesh me robërit austro-hungarezë, sesa me serbët që i shihnin në mënyrë armiqësore”.

Në fund të atij kapitulli ku Prohaska flet mbi vuajtjet dhe torturat që pësuan ushtarët serbë në atë marshim raskapitës që bënë në territorin shqiptar, ai shprehet: “Jo të gjithë ushtarët serbë i rezistonin mundimeve mbi shtigjet me borë të atyre maleve të larta. Kush binte i raskapitur, vdiste pa pasur mundësi që t’i jepej asnjë ndihmë. Gjatë atij marshimi serbët hodhën në lumin Drin të gjitha ato paisje që i pengonin për të ecur, si kamionë, topa e deri dhe automobilin e Mbretit të tyre, Pjetrit”.

Okupimi i Shqipërisë

Lidhur me vorbullën e Luftës së Parë Botërore ku u përfshi dhe territori shqiptar, autori gjerman Helmut Shvanke, midis të tjerash shkruan: “Prej fronteve më të vogla të Luftës së Madhe (është fjala për Luftën e Parë Botërore) si ato palestineze, kaukaziane, mesopotamike, dardaneleve, frontet e ndryshme koloniale dhe ai për zotërimin e Kanalit të Suezit, fronti shqiptar ishte ai që zgjati më tepër, i shtyrë deri në përfundim të konfliktit botëror, edhe pse sigurisht njëri prej më pak të përgjakëshmve. Por ka qenë një front me aspekte tepër dramatike, nëse llogaritet përveçse ushtrisë serbe, lufta detare, në sipërfaqe e nën det për kontrollin e Kanalit të Otrantos.

Fronti shqiptar ishte edhe strategjikisht i rëndësishëm për kufizimin e presioneve aneksioniste të vëndeve kufitare dhe sepse kishte hyrë në pegesën ballkanike të Antantës. E bërë e pavarur një vit para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u kthye përsëri për të qënë gjatë konfliktit një vënd i okupuar, ashtu siç kishte qenë në shekuj nga pushtimet e romake dhe bizantine. Në atë luftë të madhe ajo u okupua në dy të tretat e territorit të saj, prej austro-hungarezëve dhe në pjesën tjetër, në Jug prej italianëve e francezëve.

Bombardimi i Durrësit, i cili ndodhi më 6 dhjetor 1915 nga anijet e flotës austro-hungareze, kishte shtyrë Esad Pashën i cili në atë kohë kishte pasur Princ Vidin, për tu tërhequr në Tiranë. Duke lëvizur nga liqeni i Ohrit, bullgarët depërtuan ndërkaq nëpër Shqipërinë qëndrore dhe pushtuan qytetet e Beratit, Fierit dhe Kavajës. Në nëntor të atij viti komanda supreme gjermane kishte tërhequr nga fronti shqiptar pothuaj tërsisht trupat e saja. Nga kjo gjë u gjendën të lirë austro-hungarezët, të cilët vendosën për të pushtuar Malin e Zi dhe Shqipërinë. Nga ana e gjermanëve kjo gjë u pa si një zgjidhje e pakëshillueshme dhe e diskutueshme për aleatët e tyre austriakë, për arsye se shikohej e pamundur furnizimi i ushtrisë në rajonet pa rrugë që kishin ato vënde dhe ku armiqësitë në mes popullisve ishin evidente.

Në këtë kontekst, ai veprim do tu kërkonte një shpërpjestim të madh ushtarak. Për pushtimin e Malit të Zi, austro-hungarezët përdorën në fakt më tepër trupa se në Serbi, gjë e cila ishte e barabartë me 20 % të popullsisë vendase. Pasi kishin pushtuar në fillim të janarit 1916, Lovçenin, austro-hungarezët e patën rrugën të lirë për të marshuar në drejtim të Shkodrës dhe Shqipërisë Veriore”, shkruan autori gjerman, Helmut Shanke, në librin e tij.

Austro-hungarezët në Vjosë

Sipas gjenaralit Italian, Emilio Bertotti, i cili ka qenë komandant i Trupave Speciale në Shqipëri dhe i ka botuar ato në librin e tij “Ekspedita jonë në Shqipëri”, nisur nga situata që po precipitonte në atë kohë në Shqipëri, trupat italiane duke përfituar prej vështirësive të trupave austro-hungareze, nisën mbrojtjen e Durrësit me brigadën “Savona”, Batalionin 159 territorial dhe disa bateri artilerie. Por megjithë angazhimin e gjithë këtyre forcave, në shkurtin e vitit 1916, trupat italiane u thyen nga sulmet e katër brigadave austro-hungareze. Nga fundi i shkurtit, qyteti i Durrësit ishte zbrazur plotësisht nga trupat italiane të cilat u imbarkuan nëpër anije, por pa mundur që të merrnin me vete instalimet e artilerisë, të cilat mbetën tërsisht të paprekura në dorën e ushtrisë austro-hungareze. Pas rënies së Durrësit, aty nga prilli i vitit 1916, trupat austro-hungareze përparuan deri në brigjet e lumit të Vjosës, i cili shënonte dhe vijën kufizuese të frontit me italianët.

Objektivat e ekspeditës italiane në Shqipëri, mbetën pothuaj të kufizuara në zotërimin e pjesës jugore dhe në lindje me Armatën franko-angleze, të komanduar nga gjenerali francez Serrail, që vepronte në Selanik. Me gjithë neutralitetin e Athinës që u prish vetëm më 29 gusht 1917, atëhere kur Greqia u fut në luftë duke dalë në krah të Antantës, Armata e Lindjes u rrit me 220 mijë francezë, 120 mijë anglezë, 80 mijë serbë, 20 mijë italianë (nën komandën e gjeneral Petitit) dhe 16 mijë rusë. Lidhja me franko-anglezët e bëri të nevojshëm një operacion italian i cili çoi në zbrazjen dhe evakuimin e territoreve shqiptare të okupuara në Jug prej Greqisë që në vitin 1914 dhe të aneksuara në mars 1916. Më 28 qershor të vitit 1916 repartet italiane shtinë në dorë rajonin e Himarës dhe aty nga fillimi i shtatorit dhe qëndrat e Tepelenës, Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Pak kohë më vonë ato hynë në kontakte dhe me pararojat franceze në rajonin e Korçës. Në territoret shqiptare të pushtuara, italianët dhe austro-hungarezët bënë çmos për të fituar simpatinë dhe bashkëpunimin ushtarak me popullsinë vëndase dhe nga kjo italianët arritën të vendosnin së bashku dy batalione trupash lokale, kundër batalioneve të ndryshme të rekrutuara në veri nga kundërshtarët e tyre.

Konflikti italo-austro-hungarez

Nisur prej konflikteve të brendëshme që kishin përfshirë Greqinë prej dhunimeve të sovranitetit territorial nga ana e francezëve dhe anglezëve, kishin bërë që në qershorin e vitit 1917, të provokohej dorheqja e Mbretit Konstandin, i cili u zëvëndësua nga i biri Aleksandri. Në atë kohë aty nga data 29 e atij muaji, Greqia hyri në luftë përkra Antantës dhe territori i saj u bë baza e veprimeve ushtarake në Ballkan. Pasi u bë mobilizimi i përgjithshëm, nga tre divizione që ishin në fillim të vitit 1918, në atë kohë numri i tyre arriti në nëntë.

Po atë pranverë sulmet e francezëve në territorin e liqenit të Ohrit, bënë që të thyhej plogështia e frontit shqiptar duke i detyruar që të zbarpsen forcat e Korporatës së XIX austro-hungareze, sistemi mbrojtës i së cilës hyri në krizë në muajin korrik të po atij viti si pasojë e ndërhyrjes së Korparmatës së XVI italiane. Si rezultat i kësaj, pasi humbën zinxhirin kodrinor të Mallakastrës në verilindje të Vlorës, austro-hungarezët u detyruan të tërhiqen në vijën e frontit për rreth tridhjetë kilometra. Më 2 tetor të vitit 1918, Korparmata e XVI italiane e përbërë nga disa Brigada Këmbësorie dhe Regjimente Artilerie, nisi sulmin kundër austro-hungarezëve, të cilët e kufizuan rezistencën e tyre në mbrojtje të tërheqjes.

Trupat austro-hungareze të komanduara nga gjenerali Karl von Pflanzer-Baltin, prej pusive që kishin ndeshur në rajonin e Mirditës, kishin lënë në dorën e rebelëve shqiptarë rreth 1200 pushkë, dhe 10 mijë korona austriake ari. Duke përfituar nga humbjet e mëdha të ushtrisë austro-hungareze, trupat italiane hynë në qytetin e Elbasanit, më 8 tetor të vitit 1918 dhe në datën 14 të atij muaji, ata u futën në Durrës dhe një ditë më vonë në Tiranë. Pas rënies së Tiranës, më 31 tetor trupat italiane- hynë dhe në qytetin e Shkodrës, i cili kaloi i gjithi nën administrimin ndërkombëtar.

Thyerja e italianëve në 1920

Fundi i Luftës së Parë Botërore apo siç njihet ndryshe nga studjuesit e huaj si Lufta e Madhe, rindezi vatrat anarkoide në brendësi të Shqipërisë dhe shpresat aneksioniste në vëndet fqinje, të cilat dolën të gjitha fitimtare nga ajo luftë. Riatdhesimi i kontigjenteve të shënuara të Trupave Speciale italiane dhe transferimi i disa reparteve në Mal të Zi e Dalmacinë jugore, në fillimin e vitit 1919, e dobësuan seriozisht pozicionin ushtarak Italian në Shqipëri, i cili nuk u përmirsua dot as me ardhjen e gjashtë batalioneve alpine që u dërguan enkas nga Italia.

Nga kjo gjë përfituan bandat e shumta të kusarëve që plaçkisnin nëpër krahina, pasi ishin armatosur mirë me plaçkën e mbetur nga lufta. Nga sulmet që po iu bëheshin në atë kohë trupave italiane në Shqipëri, gjë e cila për gjeneralin italian Piacentini, do të thoshte “fillimi i një preludi për një revolucion të mundshëm nga ana e shqiptarëve”, e detyroi atë që në majin e 1920-ës, të kthente në Itali garnizonet ushtarake që ishin shpërndarë nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë. Pasi në fillim të atij viti francezët kishin ikur nga Shkodra dhe Korça, në Shqipëri mbeti vetëm garnizoni italian i Vlorës, i reduktuar në 1800 forca të cilët në qershorin e atij viti u sulmuan nga 6000 forca shqiptare. Në fillim italianët mundën që tu bëjnë ballë sulmeve shqiptare, por më pas ata u thyen dhe u tërhoqën nga Vlora. I vetmi që mbeti në atë kohë në duart e italianëve, ishte ishulli i Sazanit.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy