Firmat e automjeteve mobilizohen për të prodhuar aparatura në përgjigje të koronavirusit

0

Kompania e automjeteve Ford ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar për prodhimin e aparaturave të oksigjenit për spitale.

Ford njoftoi projektin “Apollo” në bashkëpunim me prodhuesen e pajisjeve elektrike General Electric ndërkohë që po bashkon forcat edhe me firmën elektronike 3M, në përgjigje të krizës së krijuar nga koronavirusi.

Ford, General Electric dhe 3M po i përgjigjen thirrjes që u drejtoi Presidenti Donald Trump industrive amerikane për të prodhuar pajisjet e nevojshme për të luftuar epideminë e koronavirusit.

COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, ka krijuar presion të paparë mbi sistemet spitalore dhe strukturën e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë globin. Tani sektori privat po reagon:

“Jemi në kontakt të rregullt me zyrtarët federalë, shtetërorë dhe lokalë për të kuptuar ku shfaqen nevojat më të mëdha,” tha shefi ekzekutiv i kompanisë Ford, Jim Hackett.

Kompania Ford njoftoi krijimin e “Projektit Apollo,” i frymëzuar nga misioni Apollo 13 për zbritje në Hënë i vitit 1970 që u anulua pasi një bombolë oksigjeni nuk funksionoi si duhet, duke i detyruar astronautët të gjejnë një zgjidhje.

Kompanitë Ford dhe General Electric do të zgjerojnë prodhimin e modelit që ka krijuar kompania General Electric për aparatura oksigjeni, që ndihmon pacientin në reanimacion të marrë frymë gjatë problemeve të sistemit të frymarrjes.

Dy kompanitë njoftuan se po zhvillojnë një model më të thjeshtë që do të fillojnë ta prodhojnë në fabrikat e Fordit.

Synimi është që të fillojë sa më parë prodhimi i një modeli të miratuar nga Administrata Për Ushqimin dhe Ilaçet, njoftoi një zyrtar i kompanisë General Electric në një konferencë për shtyp.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Ford tha se shpreson që kompania e tij të ketë prodhuar qindra mijëra aparatura frymarrjeje deri në fillim të qershorit.

Ford ka bashkuar forcat për një projekt tjetër me kompaninë 3M për të rritur dhjetë fish prodhimin e pajisjeve për pastirm ajri për të përmbushur kërkesat urgjente të punonjësve të sektorit të shëndetësisë. Zyrtarët e Fordit thonë se po analizojnë ventilatorët e kamionëve Ford model F-150 për pajisjen e re.

Kompania po studion edhe prodhimin e një veshjeje mbrojtëse e cila, e pajisur me ventilatorin që pastron ajrin, do ta ulte rrezikun për infektim për punonjësit e sektorit të shëndetësisë.

Zyrtarët e kompanisë Ford thonë se synojnë të krijojnë modele që mund të përshtaten nga përdoruesit në përputhje me nevojat.

Përveç Fordit, edhe kompania e automjeteve General Motors ka njoftuar se po bashkëpunon me një firmë të pajisjeve mjekësre për të prodhuar në fabrikën e saj në Indiana aparatura për oksigjen në spitale.

Ndërsa, Fiat-Chrysler, një tjetër prodhues i automjeteve, tha se do të përshtasë një nga objektet e saj në Kinë për të prodhuar 1 milionë maska në muaj për të luftuar epideminë e koronavirusit.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Struga Lajme

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting