minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
FOTOT e rralla nga dasma e Zogut dhe lidhja e pretenduar me martesën e Skënderbeut - Struga.net

FOTOT e rralla nga dasma e Zogut dhe lidhja e pretenduar me martesën e Skënderbeut

0

Nga Armand Plaka

Janë botuar pas demokracisë shumë foto dhe shumë informacione rreth dasmës së Mbretit Zog I me Princeshën Geraldinë, duke na përcjellë jehonën e njërës prej ngjarjeve që ka lënë padyshim gjurmë në historinë tonë të vonë.

Por më ka rezultuar megjithatë, se ajo ngjarje të mos kishte pasur lidhje apo referencë me ndonjë prej datave të shënuara të historisë sonë të hershme kombëtare.

Kështu deri më tani, sepse falë disa imazheve që kisha kohë që i posedoja në arkivën time dhe duke menduar se ato ishin disi të konsumuara (dmth. të para nga publiku), papritur vura re se jo vetëm që nuk ishin të atilla, por në vetvete përmbanin thuajse një risi, një mesazh.

Tek shihet autokolona që mbante dhe shoqëronte çiftin mbretëror shqiptar ndërsa përshkonte një nga rrugët kryesore të Tiranës, atë pranë ish-xhamisë së Sulejman Pashës (e shkatërruar menjëherë pas clirimit), teksa përshëndetet nga qytetarë të kryeqytetit, nxëneset e Institutit “Nana Mbretneshë” dhe nga rojat e nderit të formacioneve ushtarake, në sfond duket qartë një “hark triumfi” i dekoruar dhe dy shtylla që mbajnë të shkruara në drejtim vertikal dy data.

Çuditërisht vitet aty duket se nuk përkojnë dmth. nuk përbëjnë asnjë jubile: 1938 dhe 1451. Por datat përkojne: 26 prilli. E këtu pastaj lidhja mund të bëhet fare kollaj. Data 26 prill 1451 është data e martesës së Skënderbeut me Andronikën (dmth Donikën), të bijën e Gjergj Arianitit.

Kurorëzimi i tyre, sipas shënimeve historike, u bë në kalanë e Kaninës dhe dasma e tyre zgjati tri ditë, 21-23 prill. Por çuditërisht ka burime të tjera që dëshmojnë se Gjergj Kastrioti u martua më 26 Prill 1451, sikurse ka edhe autorë që e zhvendosin këtë event më 27 prill, apo dhe në fillim-maji. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Martesa e Skënderbeut ka ndodhur në vitin 1451.

Kjo me ç’ duket ka përbërë të paktën si ditë dhe muaj (sepse si vit nuk përmbushej dot) një shkak që oborri mbretëror i asaj kohe të vendoste me shumë gjasa mbi kohën apo datën zyrtare të martesës, duke prekur kësisoj ndjenjat e shqiptarëve e sjellë me këtë rast një simbolikë me shumë kuptim.

Një tjetër mundësi është që Bashkia apo qeveria ta kishte dekoruar në atë mënyrë qytetin (duke u kujdesur që të shënonte ato dy data) për të bërë një lidhje sa më ngacmuese, por sigurisht për nga përputhshmeria e viteve, aspak jubilare.

Vetë dasma në fakt nisi më 23 prill me pritjet për Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë, për të kulmuar më 26 prill 1938 me shfaqjen publike me nusen përkrah, në rrugët e sheshet e kryeqytetit.

Afërmendsh se vetë monarku do të donte ta bënte një lidhje të tillë, duke pasur parasysh se ai, sikurse dhe Enver Hoxha, e shfrytëzuan jo pak figurën e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, duke sjellë vazhdimisht paralele për të trashëguar kështu një pjesë nga lavdia e tij.

Këtë e vërtetojnë në fakt shumë veprime e iniciativa të Zogut edhe në fazat e para të ngjitjes së tij në pushtet madhor, qëkurse ai mbante postin e Presidentit të Republikës Shqiptare ( 1925-1928), për të kaluar më pas në sistemin monarkik, ku jo rrallëherë ai citohej si “Skanderbeg II”, e madje pretendohej se ishte në vijë gjaku pasardhës i derës së Kastriotëve.

Nga raportimet që lidhen me datën e tij të dasmës, konsumuar pikërisht në fundprill 1938, edhe pse ai citohet pra shpesh si një Prijës, “trashëgimtar i denjë e i merituar i Kastriotëve” etj, edhe pse shihen shumë foto e kartolina të dedikuara me imazhe të çiftit mbretëror të sapomartuar të dekoruara me përkrenaren e Skënderbeut në sfond, thuajse nuk përmendet askund data e dasmës së Skënderbeut.

E kjo, qoftë në dokumenta zyrtare, qoftë në shtypin e huaj apo atë vendas. Sidoqoftë, me deduksion mund të themi se data e dasmës s’paskësh qenë aspak rastësi, por i është nënshtruar një axhende të paramenduar, nisur nga indicie të rëndësishme e të ndjeshme historike, duke e futur atë për konsum publik në harkun e datave 23-26 prill, e duke mos lënë kësisoj më asnjë shteg për interpretime.

Kurse se kush i ka vendosur ato data në dekorin e qytetit, kjo pastaj pak rëndësi ka.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy