minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Humbja e Lulzim Bashës më 25 prill, si fitore edhe e së djathtës! - Struga.net

Humbja e Lulzim Bashës më 25 prill, si fitore edhe e së djathtës!

0

Nga Alfred Peza 

Ky dhjetor i 2020 ishte përveç të tjerash, edhe një mundësi e madhe reflektimi, në 30 vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri dhe rivendosjes pas gjysëm shekulli të pluralizmit politik. Disa nga zërat më racionalë të ish themeluesve të PD dhe kontribuesve më idealistë të saj ndër vite, kanë artikuluar tezën e rithemelimit të së djathtës shqiptare, si një mundësi për ta demokratizuar këtë pjesë të spektrit politik dhe mosbërjes së gabimeve të deritanishme në të ardhmen.

Secili prej tyre reagon sipas mënyrës, formave e mundësive të veta ndaj situatës në të cilën ndodhen, duke shkuar deri atje sa brenda pak muajve të fundit nga gjiri i PD të krijohen edhe disa forca të reja politike opozitare. Këto lexohen nga distanca, si përpjekje individësh apo grupesh realativisht të vogla, për të kontribuar sadopak në rivitalizimin e së djathtës, opozitarizmit, shpirtit dhe frymës së demokratëve të zhgënjyer nga lidershipi i Lulzim Bashës në mbi 7 vitet e fundit.

Megjithëse në këtë lëvizje të madhe për ndryshimin e status quo-së, janë përfshirë disa nga personalitetet e PD ndër vite dhe profilet më interesantë të opozitarizmit aktiv në politikë, prapëseprapë duket se rezultati që mund të arrijnë mund të mos jetë i dëshiruari prej tyre. Sepse me sa duket, përballë të keqes që ata shohin tek Lulzim Basha, duhet një akt shumë më i fortë që të shkaktojë një tërmet të vërtetë politik, për të shkatërruar gjithçka është bërë keq në tri dekadat e fundit.

Sa ka jetë politike, ka edhe shpresë për të gjithë ata që e kërkojnë ndryshimin brenda vetes, ndaj ky dhjetor i 30-të i pluralizmit i ka shtyrë me siguri që të reflektojnë më shumë se çdoherë tjetër. Një reflektim që mund të nisë të vihet në jetë, pas pak javësh, kur Shqipëria të përballet me zgjedhjet e 10-ta të përgjithëshme parlamentare. Është ndoshta ky momenti më i mirë për të gjithë demokratët dhe opozitarët, që të gjejnë forcën e jashtëzakonshme të kurajos, për të kontribuar që ta çojnë Lulzim Bashën drejt një humbje spektakolare në zgjedhje.

Personalisht si çdo i majtë tjetër, sa më shumë që e djathta shkërmoqet kësisoj, aq më shumë të volit kjo situatë nga pikëpamja e ngushtë e rezultatit elektoral. Por çështjet e demokracisë e të pluralizmit, nuk janë thjeshtë dhe vetëm çështje përkatësie partiake, militantizmi apo tifozlliku politik, për fituesin dhe humbësin e zgjedhjeve të radhës. Janë diçka shumë tepër se kaq, sepse janë një çështje, përtej të majtës dhe të djathtës!

Ndaj në këto kushte, humbja e Lulzim Bashës më shumë sesa një triumf i së majtës, duhet parë si një fitore e madhe e së djathtës. Një fitore jo dosido, por çliruese që do ti japi mundësinë çdo demokrati të vërtetë, çdo opozitari dhe çdo të djathti që të largojnë njëherë e përgjithmonë nga skena Sali Berishën në radhë të parë, i cili nga “djepi” rrezikon që të shndërrohet në “varrin” e Partisë Demokratike.

E bashkë me ikjen e tij, me daljen e tij i fundit nga skena ndër gjithë ish liderët e parë të partive antikomuniste në vendet e Europës Lindore, do të ikë edhe Lulzim Basha. E bashkë me to, largohen edhe ajo frymë e filozofi drejtimi, që i ka çuar demokratët nga humbja në humbje pas 2013. Duke i hapur rrugën kësisoj një lideri të ri, një lidershipi të ri, një ekipi të ri nga qendra në bazë dhe një fryme të re me vizion të ri, në drejtimin e së djathtës së re e të vjetër shqiptare.

Ndaj humbja e Lulzim Bashës këtë radhë është fitorja e vërtetë, e madhe dhe reale e opozitarëve të zhgënjyer nga lidershipi i vjetër i partisë së tyre, në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Sepse vetëm ajo do mund tu japë shanse dhe mundësi, që të çlirohen njëherë e përgjithmonë, nga ajo elitë e vjetër dhe e lodhur që i ka marë peng ëndrrat, idealet dhe aspiratat e tyre, për interesin personal të një klani tepër të ngushtë që e kanë uzurpuar prej 30 vjetësh Partinë Demoraktike.

Vetëm pas kësaj, i hapet rruga shumë grave dhe burrave, vajzave dhe djemve që kanë një histori familjare, personale dhe një vokacion që buron nga e djathta historike apo moderne, për tu bërë pjesë e një sistemi meritokratik në elitën politike të vendit.

Katër vitet e ardhshme nuk janë asgjë në jetën e një njeriu, por mund të jenë gjithçka në jetën e Partisë Demokratike, nëse nuk arrin që të rilindë nga hiri i ëndrrave të atyre që u ngritën në dhjetor 1990 për një Shqipëri pa liderë të përjetshëm në demokraci.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy