minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Letra që Bilal Xhaferi la në vijën e kufirit me Greqinë: Pasi prita dy vjet, po detyrohem të arratisem nga Shqipëria, por ta dini se unë… - Struga.net

Letra që Bilal Xhaferi la në vijën e kufirit me Greqinë: Pasi prita dy vjet, po detyrohem të arratisem nga Shqipëria, por ta dini se unë…

0

Memorie.al publikon dy dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhen dy letra të gazetarit dhe shkrimtarit me origjinë çame nga fshati Markat i Sarandës, Bilal Xhaferr Hoxha, ku e para që mban datën 13 korrik 1969 i dërgohet Sekretarit të Parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxhës, ndërsa letra e dytë, është ajo që Bilali la në vijën e kufirit para arratisjes në Greqi, më 30 gusht 1969. Në letrën e parë të dërguar Enver Hoxhës, midis të tjerash ai i shkruan: “Në qoftë se ndokush e ka ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe Partisë, unë e kam margaritar, sepse vij direkt nga zemra e klasës punëtore, ku u rrita, punova dhe punoj si punëtor e u mësova prej saj”. Ndërsa në letrën që ai la në zonën kufitare pak para arratisjes, midis të tjerash shkruan: “Pasi prita më kot për dy vjet, po detyrohet të arratisem nga Shqipëria, por unë kurrë…”

Nga Dashnor Kaloçi

Ky dokument i shkurtër që po publikojmë në këtë pjesë të librit është kartela sektorit të letra-ankesave pranë e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, (Kartela e Evidentimit dhe Regjistrimit të Letrave), ku në bazë të praktikës mbi të cilin funksiononte administrata e tij, ka regjistruar letrën që ka dërguar Bilal Xhaferri në adresë të Sekretarit të Përë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxhës. Po kështu, në atë kartelë, pasi janë shënuar gjeneralitetet e personit që dërgon letrën, është regjistruar edhe një përmbledhje e shkurtër rreth problemit kryesor që ka dhe ngre letërshkruesi në adresë të udhëheqësit të Partisë. Dhe në fund të kartelës është vënë shënimi se letërshkruesi është paraqitur për të marrë përgjigjen dhe se çfarë përgjigje i është dhënë.

Dokumenti botohet sipas të gjitha të dhënave të kartelës tip (formular) dhe shënimet përkatëse që janë bërë nga nëpunësi i sektorit të letrave. Dhe gjëja më kryesore që ndodhet në këtë kartelë është përgjigja që i është dhënë letërshkruesit (Bilal Xhaferrit), kur ka shkuar për të marrë përgjigjen. Sipas dokumentit, aty shkruhet: “Erdhi në takim dhe i’u tha se e ka marrë përgjigjen në mbledhjen ku ai bëri autokritikë”.

KOMITETI QENDROR I PPSH.

Dega e Përgjithshme Alf. B.

Seksioni i pritjeve, letrave dhe ankesave Nr. 28.

Dt.13.7.1969

KARTELË E REGJISTRIMIT DHE EVIDENTIMIT TË LETRAVE

Emri, atësia, mbiemri. Bilal Xhaferr Hoxha. Gjendja në Parti…….

Adresa: NBSH ‘8 Nëntori’ … Sektori Kullë, Sukth …Rrethi (qyteti) Durrës.

Kujt i drejtohet letra…. Shokut Enver Hoxha… u lexua nga…

Çështja që parashtron: Ankohet se që kur u ngrit kundër romanit “Dasma” të I. Kadaresë, i’u bë dhe po i bëhet një luftë e madhe. Aty për aty i’u tha se ishte bir i një ballisti të pushkatuar dhe pastaj i’u ndaluan botimet që kishte dërguar në shtyp, e pushuan nga puna etj.

Shkruan se as nuk e njeh të atin dhe shprehet: Në qoftë se ndokush e ka ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe Partisë, ai e ka margaritar, se ai vjen direkt nga zemra e klasës punëtore, sepse u rrit, punoi dhe punon si punëtor dhe u mësua prej saj. Lutet që për këtë çështje të japë gjykim vetë shoku Enver.

Diskutimi i tij për romanin “Dasma” është i shkruar dhe mund të shikohet. Njofton se ai mbron diskutimin e tij.

Porosia e dhënë nga sektori përkatës ose drejtori….

Veprimet për shqyrtimin e çështjes……

I’u dha për zbatim…..Organi… data…

Nënshkrimi i marrjes ose nr. i nisjes.

Afati i zbatimit. Letra ose kërkesa të përsëritura.

Erdhi në takim dhe i’u tha se e ka marrë përgjigjen në mbledhjen ku ai bëri autokritikë. 24.3.1969

(Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1969. Fl. 1-180-214)

KAPITULLI I XII

Kjo letër që mban datën 30 gusht 1969, është gjithashtu një nga dokumentet më të rëndësishëm të këtij libri, i së ashtuquajturës “çështja Bilal Xhaferri” e shumëpërfolur prej vitesh, pasi ai hedh dritë mbi një ngjarje të largët, e cila është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet herë pas here në shtypin e përditshëm.

Dokumenti në fjalë përmban letrën që Bilal Xhaferi ka lënë në vijën e kufirit me Greqinë, diku pranë klonit, (afër fshatit të tij, Markat i rrethit të Sarandës), në momentin e fundit para arratisjes. Letra e Bilalit i dërgohet Hysni Kapos, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që mbulonte organet e diktaturës së proletariatit (Ministrinë e Brendshme, Sigurimin e Shtetit, Prokurori – Hetuesi, etj.), së bashku me një shkresë përcjellëse që mban firmën e ish-zv / ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Feçor Shehut.

Po kështu, kjo letër i është dërguar edhe Ramiz Alisë, pasi Bilal Xhaferri kishte qenë shkrimtar dhe këto çështje mbuloheshin në rrugë partie prej tij, si sekretar i Komitetit Qendror, për propagandën, artin e kulturën. Ky dokument, ashtu si dhe të gjithë të tjerët paraardhës në faqet e këtij libri, sheh dritën e botimit për herë të parë, por ekzistenca e kësaj letre ka qenë e ditur, pasi ajo është gjetur nga fshatarët e zonës kufitare, që shkonin në ndihmë të postës kufitare për të punuar klonin dhe u është dorëzuar organeve kompetente.

Dhe kjo gjë, pra fakti se Bilal Xhaferri ka lënë një letër në vijën e kufirit është përmendur edhe në shtyp, por se çfarë përmbante ajo letër, nuk është bërë e ditur asnjëherë.

Letra në fjalë me shkrimin e Bilalit që ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit, është mjaft e zhubrosur, pasi është grisur nga një thes çimentoje i vjetruar dhe mezi lexohet. Me gjasa ajo duhet të jetë mbajtur shuk në xhep nga Bilali, për t’u hedhur në rastin më të parë nëse do të diktohej nga ndokush gjatë arratisjes, pa kaluar klonin. Por ajo është shtypur me makinë shkrimi nga Ministria e Brendshme kur i është dërguar Hysni Kapos dhe nga mikrofilmi i arkivit ajo është mjaft e qartë për t’u lexuar.

Nisur nga përmbajtja e saj dhe shkrimi mjaft i qartë e i kujdesshëm, lë të kuptohet se Bilali nuk e ka shkruar atë me nxitim, shpejt e shpejt diku në vijën e kufirit pak momente para arratisjes, por më parë se të mbërrinte aty. Pra, letra duket se është bërë prej tij pasi e ka menduar gjatë, pavarësisht se gjendja e tij në ato momente që po linte atdheun, ka qenë mjaft dëshpëruese?!

Dy gjëra mjaft interesante vihen re qartë nga leximi i letrës. E para; në asnjë rresht të saj, Bilali nuk shpreh dashuri për Partinë dhe shokun Enver (nuk e përmend asnjëherë fjalën Parti), gjë që e ndeshim në letrën e tij të parë dërguar Enver Hoxhës. Ky fakt tregon më së miri se ato fjalë që ai ka shprehur për Partinë dhe shokun Enver, duke thënë mes të tjerash se: “nëse ka proletarë, unë jam margaritar i Partisë”, nuk kanë qenë bindje e tij. Pra, del qartë se ato shprehje në letrën dërguar Enverit, kanë qenë thjesht një truk i menduar hollë prej tij, për t’i fituar sadopak zemrën diktatorit komunist, në mënyrë që në rastin më të mirë të rehabilitohej, apo tek e fundit të fitonte ç’të mundte nga ato ç’ka kishte humbur, si puna, banimi, shoqëria, trajtimi nga shteti, apo dhe e drejta për të botuar!

E dyta: është ajo se Bilali e ka kuptuar se ka bërë gabim që ka sulmuar Kadarenë në atë mënyrë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe ndoshta për këtë e ka fjalën kur thotë në letër: “Bëra gabim taktik”, por që sipas tij, e ka bërë pa qëllim të keq.

Ashtu si dhe dokumentet e tjera arkivore të pasqyruara në faqet e këtij libri, edhe këtë po e botojmë të plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.

Informacioni i Feçor Shehut dërguar Hysni Kapos, për letrën e Bilal Xhaferrit

Shoku Hysni

Po ju dërgoj letrën e Bilal Xhaferrit, i cili e la në vijën e kufirit në momentin e arratisjes në Greqi.

Tiranë, më 16.IX.1969

Me respekt Feçor Shehu

Ramizit

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

Tiranë

Dt. 20.9.1969

Prita pothuaj dy vjet që ju të shikonit çështjen time. U jam drejtuar dy herë me letër po qe e kotë. Më në fund, pas këtyre dy vjetëve të rënda durimi dhe pas një jetë të tërë që më iku duke pritur, duke shpresuar se do të më përkrahni dhe do të më trajtonit siç duhej, pas humbjes së çdo lidhjeje që kam pasur me jetën letrare, me njerëzit, me artin tim të cilit i kushtova gjithashtu, vendosa të iki nga atdheu dhe të emigroj ku të mundem në vende të huaja.

Ju më dëbuat, jam vënë në gjendjen e një njeriu që i ka mbetur vetëm një gjë: të hidhet në rrotat e trenit: dhe tani duke luftuar me jetën dhe me vdekjen, po provoj të ekzistoj akoma i gjallë dhe po arratisem, gjë që më duket njëlloj sikur po hidhem nën rrotat e trenit. Nuk jam i implikuar në asnjë çështje politike me asnjë lloj fuqie të huaj, me asnjë lloj organizate, me asnjë lloj personi. Po ndjek vetëm fatin tim të hidhur.

Unë jam një njeri që kam dhënë prova se e dua këtë vend, e dua këtë popull dhe u përpoqa që diç të bëj në jetë, duke u përpjekur në fushën e letërsisë në kushtet më të vështira, ndonëse pas një gabimi timin taktik, po pa qëllim të keq, ju më privuat plotësisht, më mohuat, më çdukët për së gjalli si letrar. Sidoqoftë, përsëri unë do mbetem ai që isha, një njeri që e do deri në fund popullin dhe atdheun e vet dhe nuk e tradhton kurrë këtë popull e ketë atdhe, edhe pse mund të emigrojë larg.

Kuptohet, për veprimin tim përgjigjem vetëm unë. Asnjë njeri tjetër nga njerëzit e mi, nga farefisi im, nga miqtë dhe shokët e mi nuk ka dijeni dhe nuk mund të bëni fajtor për çështjen time. Për mundësitë praktike të arratisjes, u detyrova të bëj me vete vetëm një njeri, Selfo Hoxhën. Ai braktisi familjen vetëm pse mendon se po të arratisem unë, patjetër do të arrestohet, mbasi organet e Sigurimit të Shtetit do të kujtojnë që jam arratisur me ndihmën e tij. I vënë përpara dilemit: që ose të vijë me mua, ose të më denoncojë mua, ai vendosi të vijë, sepse edhe jeta e tij është bërë e rëndë në fshat ku e shikojnë si armik.

30 gusht 1969

Bilal Xhaferri

Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1969. Fl. 1-180-214.

Ky shkrim është marrë nga libri “Kadare i denoncuar” i autorit, Dashnor Kaloçi, botim i UET-PRESS, Tiranë, nëntor 2015

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy