minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Pesë mënyrat sesi koronavirusi po e thellon pabarazinë globale - Struga.net

Pesë mënyrat sesi koronavirusi po e thellon pabarazinë globale

0

Nga Kunal Sen

Para shfaqjes së Covid-19, pabarazia ishte duke u rritur në shumë pjesë të botës në zhvillim. Por pandemia do të rrisë më tej pabarazitë ekzistuese ekonomike dhe sociale. Ja cilat janë 5 mënyra kryesore, sesi pritet që të ndodhë kjo gjë:

Pabarazi për shkak të llojit të punës

Pandemia ka rritur pabarazinë midis punëtorëve. Masat bllokuese të miratuara nga shumë qeveri për të ndalur përhapjen e koronavirusit, kanë dëmtuar në mënyrë të veçantë të varfrit që punojnë në vendet në zhvillim.

Për këta punëtorë, që varen nga një pagë ditore dhe punë kryesisht rastësore, pamundësia për të udhëtuar në vendet e tyre të punës, ka çuar në një humbje të konsiderueshme të fitimeve, dhe në nivele të larta të pasigurisë mbi të ardhmen e jetesës së tyre.

Për shembull, merrni rastin e një shitësi ambulant që shet perime në rrugët e Nju Delhit në Indi. Kur pandemia goditi vendin, dhe qeveria urdhëroi mbylljen e të gjithëve në shtëpi, shitësi i rrugës e pas befas në vështirësi ekstreme. Ndërkohë, për profesionistët që janë në gjendje të punojnë nga shtëpia, pandemia ka pasur një efekt negativ më të kufizuar në të ardhurat e tyre.

Pjesa dërrmuese e punëtorëve në vendet në zhvillim, punojnë në të zezë, pa asnjë qasje në llojet e ndihmës sociale, që marrin nga qeveritë e tyre punëtorët në vendet e pasura. Ndërsa shumë vende në zhvillim e kanë rritur shkallën e masave të mbrojtjes sociale në përgjigje të pandemisë, kjo gjë qartazi nuk është e mjaftueshme. Madje as masat e marra deri tani, nuk mbërrijnë tek shumica e të varfërve.

Ndarja digjitale

Pandemia është duke kontribuar në një përshpejtim të ndryshimit teknologjik, duke ndihmuar biznese të caktuara të qëndrojnë të hapura në aspektin digjital, duke u dhënë mundësi shumë njerëzve të punojnë nga shtëpia, të cilët më parë nuk ishin në gjendje ta bënin këtë gjë.

Vendet, qytetarët e të cilëve kanë qasje në internet dhe janë të mirë-arsimuar, do të përfitojnë nga lëvizja drejt teknologjive online, siç është platforma “Zoom” për takimet virtuale. Pra, për punëtorët në Singapor dhe Tajvan, zhvendosja tek teknologjitë në internet do të jetë një ndihmë e mirë. Por vendet që kanë mbetur pas në garën digjitale, përfshirë shumë prej tyre në Afrikën Nën-Sahariane, do të dëmtohen shumë.

Hendeku midis burrave dhe grave

Ndërsa burrat dhe gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi për shkak të masave bllokuese, gratë kanë më shumë të ngjarë të kujdesen për fëmijët dhe punët e shtëpisë, duke sjellë një shpërndarje të pabarabartë të detyrave shtëpiake brenda familjes.

Gratë në mbarë botën, kanë më shumë të ngjarë angazhohen në shërbimet në supermarkete dhe spitale, ku puna në distancë është më pak e mundur, dhe ato janë më të prekura veçanërisht nga humbjet e vendeve të punës të shkaktuara nga masat bllokuese.

Mbyllja e shkollave dhe çerdheve, mund t’i detyrojë gratë të largohen nga puna. Në kohën e një krize ekonomike, vajzat janë shpesh të parat që braktisin shkollën, pasi zëvendësojnë në shtëpi nënat që punojnë. Me mbylljen e shumë shkollave gjatë pandemisë, vajzat janë më të rrezikuara të mos kthehen në shkolla kur ato të rihapen. Nga ana tjetër ky efekt në arsimimin e tyre, do të çojë në keqësimin e punësimit afatgjatë dhe perspektivat e fitimeve.

Rritja e proteksionizmit

Koronavirusi është shfaqur në një kohë, kur ka një nivel tepër të dobët të bashkëpunimit ndërkombëtar. Shembulli kryesor është lufta e vazhdueshme tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, si dhe deklaratat e shumta të presidentit amerikan Donald Trump, që e kanë minuar rolin e organeve të rëndësishme ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH).

Prirja më e gjerë drejt nacionalizmit ekonomik, me vendet si SHBA dhe Britania e Madhe që tërhiqen nga marrëveshjet e tyre kryesore tregtare, do të theksohet më shumë nga pandemia. Një proteksionizëm më i madh në vendet e zhvilluara, i mbyll qasjen vendeve në zhvillim ndaj tregjeve më të pasura, duke i lënë mundësi të kufizuara për të përfituar nga tregtia botërore.

Globalizimi, ishte shtytësi i madh i rritjes së të ardhurave në Azinë Lindore, dhe sidomos në Kinë dekadat e fundit. Por proteksionizmi do të kufizojë aftësinë e tij, për të reduktuar pabarazitë e mëdha në të ardhurat midis të pasurve dhe të varfërve në botën pas pandemisë.

Qasja tek vaksina

Qasja në vaksinën ndaj Covid-19, pasi të jetë zhvilluar, do të përcaktojë shkallën dhe shpejtësinë e rikuperimit nga pandemia. Ajo ka të ngjarë të ndryshojë në vendet e pasura dhe të varfra, duke e thelluar më tej pabarazinë.

OBSH ka paralajmëruar mbi dukurinë e dëmshme të “nacionalizmit” të vaksinave, ku shpërndarja e tyre u jepet kryesisht qytetarëve të vendeve të pasura, të cilët po shpenzojnë miliarda dollarë në studimet në fjalë. Tashmë ne kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve të mëdha për të blerë pajisjet e nevojshme për mbrojtjen personale për punonjësit e kujdesit shëndetësor, që janë në vijën e parë të frontit në luftë kundër pandemisë.

Nëse ekonomitë e zhvilluara rezervojnë furnizime thelbësore mjekësore kryesisht për qytetarët e tyre, dhe nëse e reduktojnë në vend se ta zgjerojnë ndihmën dhe mbështetjen financiare ndaj vendeve më të varfra, këto të fundit do të kenë kosto të mëdha, njerëzore dhe ekonomike nga pandemia.

Nëse efekti i pandemisë mbi pabarazinë do të ndihet edhe për shumë vite në vijim, kjo gjë të varet nga fakti nëse qeveritë në vendet në zhvillim, do të ndërmarrin veprime të bashkërenduara – si në të ardhmen e afërt, përmes sigurimit të programeve të mëdha të ndihmës për të varfrit që punojnë, ashtu edhe në planin afatgjatë, në edukimin e punëtorëve të tyre për t’i përgatitur për një botë më të përparuar digjitale, dhe për të ndërtuar infrastrukturën e duhur për të.

Kjo do të varet gjithashtu edhe nga mënyra se si bashkësia ndërkombëtare mund të veprojë në një mënyrë të unifikuar, për të garantuar lehtësimin e borxheve, dhe financat e nevojshme për vendet me të ardhura të ulëta.

Shënim: Kunal Sen, profesor dhe drejtor i Institutit Botëror për Kërkimet në Ekonomitë në Zhvillim (UNU-WIDER), Universiteti i Kombeve të Bashkuara.

“The Conversation” – Bota.al

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy