
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka inkurajuar dje prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që të mos trembën përballë presioneve, ndërsa iu ka kërkuar që të hetojnë të gjitha krimet e pandëshkuara deri më tani për shkak se drejtësia e vjetër i ka mbyllur ato me procedurë dhe nga frika e përfshirjes ën to të politikanëve.
Gjatë një prononcimi për “sot”, zoti Koçi u shpreh ditën e djeshme se ka ardhur koha që SPAK duhet të zbardhë vrasjen e Azem Hajdarit, shitjen e detit dhe krimin shtetëror të “21 Janarit”, ndërkohë që theksoi se në kushtet kur po instalohet drejtësia e re, prokurorët duhet të dëgjojnë këtë ulërimë të shqiptarëve, të cilët sipas tij, po kërkojnë zbardhjen e dosjeve të bujshme.
“Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shansin të zbardhë dhe të vendosë në bankën e drejtësisë të gjitha çështjet e mbetura pezull në drejtësinë e vjetër, për shpërdorim të procedurave gjyqësore dhe për shkak të rreshtimit politik të njerëzve të drejtësisë.
Çështje të tilla si vrasja e Azem Hajdarit, afera e Rrugës së Kombit, shitja e detit, 21 Janari, Gërdeci dhe vrasja e 4 policëve gjatë aksionit për kapjen e Dritan Dajtit, etj, ulërasin në veshët e shqiptarëve emra dhe autorë të pandëshkuar deri me sot.
Tashme është koha që ta dëgjojnë këtë ulërimë veshët e drejtësisë, ta shohin me sytë e patrembur dhe të flasin me gojën e ligjit”, deklaroi Koçi