minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme
Postulat politik: Pse Rama do vazhdojë të qeverisë edhe për një mandat të tretë - Struga.net

Postulat politik: Pse Rama do vazhdojë të qeverisë edhe për një mandat të tretë

0

Nga Bedri Islami

Për dy gjëra jam i bindur:

Së pari,

Për mos ndëshkimin e së keqes dhe krijimin e konceptit të PPP “famoze”, Edi Rama nuk do e kishte merituar të vazhdojë qeverisjen,

Dhe

Së dyti,

Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë edhe mandatin e tretë.

Nuk është dëshirë.

Kështu si po rrjedhin gjërat, po kthehet në një postulat politik.

Mosndëshkimi i së keqes ka qenë dhe vazhdon të mbetet njëra nga thembrat akiliane të qeverisë së tashme. Nuk e ka ndëshkuar të keqen as ndaj paraardhësve të saj në qeveri, të cilët edhe në ditët e fundit zhvatën çka mundën dhe krijuan malin e së keqes, por as ndaj njerëzve të tij, të cilët vazhduan të jenë në rrugën e s keqes, e jo rrallë e thelluan edhe më tej.

Sido që të themi, kjo e keqe ka mbetur pjesë e qeverisjes, sepse, deri më tani, as nga të djeshmit e qeverisjes dhe as nga të sotmit, asnjëri nuk është ndëshkuar.

Mosndëshkimi ka sjellë trimërimin dhe ka krijuar vijën politike dhe qeverisëse. Pikërisht për këtë nuk u hetua asnjëherë se si ndodhi që në momentin e ndërrimit të pushtetit kishte ndodhur humnera financiare, ashtu si askush nuk u dëmtua nga i gjithë skndali i Unazës së Madhe, ku fajtor i vetëm u gjet një birbo centralist, i cili edhe sot e kësaj dite nuk e di se për çfarë është akuzuar, se cilën firmë amerikane ka falsifikuar dhe përse ka ndodhur kështu.

E përsëri Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë edhe në mandatin e tretë, jo thjeshtë se do të thyhej një tabu e alternimit të pushtetit në çdo tetë vite, por, ndyshe nga sa ndodh në fushëbetejën elektorale, ai do të futet me tri përparësi të ndjeshme:

1. Tetë apo nëntë muaj para zgjedhjeve të reja politike opozita ende nuk e di se si do të veprojë. Në të gjithë piramidën e saj është një lëmsh i pazakontë, që vetëm adoleshentët politikë mund ta krijojnë, ose, si ndodh në këtë rast, një grup arrivistësh të paaftë dhe të joshur nga pushteti.

Të synosh që pas 30 viteve jetë plurale dhe përplasjeje politike të ndërtosh një skenë të re, ku lojtarët e vjetër janë dominues, më e pakta është të bësh harakiri politik. Lulzim Basha, si duket nuk e ndjen se përreth tij është një grup korbësh politikë, që nesër do të jenë të gatshëm të shkyejnë edhe atë vetë.

Të mendosh se në aradhën e parë të përplasjeve do të kesh përsëri Nard Ndokën, Vangjel Dulen, Shehun apo Dukën, që as fjalorin nuk kanë arritur ta ndërrojnë dhe kanë lëvizur politikisht sipas erërave të pushtetit, është po aq e padobishme se sa të mbledhsh rreth vetes një grusht politikanësh anonimë, të ngurtësuar, që në kaq vite nuk kanë sjellë asnjë mendim të ri në jetën politike. Salianji, Balliu, Gjata, Spahiu i Shkodrës dhe shefi i dikurshëm i Lazaratit, figura politike që sjellin kërcënimin si metodë politike dhe britmat si gjetje intelektuale, do të thotë të shkosh drejt ballafaqimit politik me perceptim anodollak dhe rroba perëndimore. Asnjëri nga të parët, që përfaqësojnë rrymën e ngjitjes pas pushtetit, dhe, asnjëri nga të dytët, që sjellin arrivistët e pushtetit për të cilin mund të bëjnë çdo gjë, të thërrasin si shefi, të shajnë si shefi, të anatemojnë si shefi, të flasin si shefi, të vishen si shefi e në fund të mund të përfitojnë si shefat e ardhshëm, jo vetëm nuk të ngjallin besim, por shumë herë të krijojnë neverinë politike deri në skaj.

2. Në krah të Bashës do të jenë lësëistët e Kryemadhit, me prapavijën e qëndrueshme dhe herë – herë, parafjalën e Metës.

Në jetën e tij presidenciale askush tjetër, më shumë se sa Meta dhe familja e tij, nuk e kanë shkatërruar Kushtetutën dhe asnjë tjetër nuk është përbetuar në emrin e saj, pikërisht kur e kanë përdhosur më së shumti.

Ilir Meta është presidenti që nuk duhej të ishte. Ai ka krijuar precedentin e rrezikshëm të presidentit super opozitar dhe mbështetës të një kauze që nuk ka asgjë të përbashkët me kushtetutën e aq më pak me një shtet demokratik. Në çdo vend të botës, ku është një republikë parlamentare, nëse një president do të sillej si vazhdon të qëndrojë Meta, ai do të shkarkohej e jo vetëm kaq: ai do të përgjigjej ligjërisht për shkeljen e betimit të tij presidencial.

Tërheqja e deputetëve socialistë ishte e pritur, jo se kanë drojën se dikush do i akuzojë se i kanë të gjitha pushtetet, atë nuk e kishin këtë edhe kur qetësisht u futën në zgjedhjet e 30 qershorit të kaluar dhe morën të gjitha bashkitë – dhuruan të Shkodrës -, por sepse i duhet një president gogol, si nuk dhet të ishte, ku të qëndrojë vemendja dhe të ndodhin përplasjet politike, duke hequr vemendjen nga të gjitha ato që ndodhin pas kësaj përplasjeje.

Do të kishte mjaftuar vetëm precedenti i 2 marsit, ku hapur, në shesh, para opozitës, presidenti i një vendi bën thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe të parlamentit, apo bredhja nëpër studio duke kërkuar një kryeministër, sikur gjithçka ishte në portofolin e tij, që të mos kishte qëndruar më si president.

LSI, për fat të keq, paraqet sot forcën politike më zvetnuese, më korruptive dhe më të përfolur, e cila e ka hequr mendimin politik nga paraqitja e saj dhe ka lënë Petrit Vasilin të thotë dokrra dhe të ndjellë përbuzjen.

Koalicioni i Bashës do të jetë me këtë forcë politike, e cila, gjithçka që ai ndërton ditën, ia shembin natën.

Kjo do i heqë opozitës të drejtën morale për t’i thënë njerëzve që t’i ndjekin, pasi asnjëri prej atyre që janë sot në falangat e para të lësëisë nuk mund të ndiqen.

Nëse në opoitë veprojnë kështu – si mund të sillen me pushtetin? Të pangopur si më parë, apo të uritur për të ribërë çfarë kanë humbur?

Më thuaj me kë rri, të të them se cili je – është postulat i njohur.

3. Opozita në ditën që u largua nga parlamenti dhe askush nuk e di pse janë larguar, ndoshta as vetë shefi i saj, ajo u largua nga legjislativi dhe në vendin e saj u ulën njerëzit e saj të paslistës që e nxorrën vetë atë në margjina, ajo humbi pjesë të pushtetit ekzekutiv, që kishte në disa qytete dhe qarqe të ndjeshme, u largua nga vendimmarrja dhe, ndonëse thirri “ fitore”, ajo ndolli humbjen.

Shumica mund të miratojë tani cilin ligj të dojë, ai të jetë ligj kushtetues dhe sado të thërrasë presidenti se parlamenti nuk është legjitim, ai njihet si i tillë, përderisa vetë Meta ka nënshkruar ligje të votuara prej tij.

Koha për të ditur nëse është legjitim apo jo tani ka shkuar. Faji i madh politik do të shlyhet dhe opozita po e shlyen që tani. Por nuk ka arritur deri në fund. Prilli apo maji i ardhshëm do të jenë kohët kur bëhen llogaritë dhe braktisja e zgjedhjeve si opsion mund të mbajë edhe disa javë në këmbë opozitën, por do e fundosë më tej.

Duke pasur gjithë pushtetin vendor në dorën e saj shumica mund të përllogaritë disa dhjetëra mijëra vota më shumë ende pa nisur dita e votimit. Këto i dhuroi opozita marramendshëm dhe askush nuk mund t’i thotë Edi Ramës përse i more këto dhurata.

Zgjedhjet brenda opozitës më të madhe mund të jenë farsë, por tregojnë se ka lëvizur diku, sado e vogël të jetë ajo. Njerëzit e zakonshëm herë pas here po kërkojnë figura politike më dinjitoze, më të qëndrueshëm, të besueshëm në profilin e tyre dhe seriozë. Janë të paktë, por të domosdoshëm.

Nuk e di nëse kupola drejtuese do i qaset më afër këtij mendimi apo do të vazhdojë lojën e vjetër të listave të mesnatës.

Ajo, edhe kështu mundet të mos fitojë, por do të jetë më e besuar.

Ndryshe, nëse nuk lodhet nga pushteti dhe abuzimi me të, Edi Rama do të fillojë që në qershorin e vitit të ardhshem lojën e tij për një mandat të katërt.

Dhe askush të mos thojë se është vonë./ Dita

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy