Rexhep Qosja: Komplot parlamentar, ndaj Albin Kurtit

0

Nga Rexhep Qosja

E rrëzuan Qeverinë e ndryshimit!

E rrëzuan Qeverinë e shpresës!

E rrëzuan Qeverinë e ndryshimit dhe të shpresës pa i lejuar t’i kalojë as 90 ditët e para që çdo qeverie i lejohen në të gjitha demokracitë liberale e joliberale, përpos në “demokracitë” neofashiste.

Nuk e rrëzuan votuesit. Jo.

Nuk e rrëzuan ata që zgjedhin. Jo.

Nuk e rrëzoi populli. Jo.

E rrëzuan ata që fjalën popull s’e përmendin më, ata që popullit nuk i bëjnë të mundshme as të shihet e as të dëgjohet më!

E rrëzuan ata që përgjegjshmërinë për shoqërinë, si u pa, e kanë shumë më të vogël se levërdinë vetjake.

Se do të bëjnë çmos për ta rrëzuar Qeverinë e ndryshimit dhe të shpresës e treguan ditën e formimit të saj në Kuvendin e Kosovës. Atë ditë, në atë mbledhje, u dëgjuan fjalë sulmesh, fjalë fyerjesh dhe fjalë kërcënimesh kundër saj dhe sidomos kundër kryeministrit të saj.

Kush janë ata që e rrëzuan Qeverinë?

Janë ata që i tmerroi fitorja e Lëvizjes që e krijoi qeverinë – fitorja e Vetëvendosjes.

Janë edhe ata, në të vërtetë prijësit e atyre, që e krijuan koalicionin me ta për krijimin e asaj Qeverie.

Ata e rrëzuan, në të vërtetë ata e prenë në besë.

Pse e rrëzuan?

Pse e prenë në besë?

Cilat janë arsyet e rrëzimit, e prerjes në besë të Qeverisë së ndryshimit dhe të shpresës?

Ata që e përgatitën rrëzimin, opozitarët, thonë gënjyeshëm, propagandueshëm se qeveria gjatë atyre 50 ditëve, që ia lejuan, u tregua antiamerikane dhe e rrezikoi Kosovën me sanksione që SHBA-ja gjoja do t’ia vinte Kosovës!

Pjesëmarrësit e dytë të koalicionit, në të vërtetë të parët e LDK-së, e thonë duke mashtruar opinionin se Qeveria u rrëzua, e para, pse e shkarkoi pa u konsultuar me ta ministrin e Punëve të Brendshme që vinte prej partisë së tyre dhe, e dyta, për shkak se nuk deshi të hiqte tarifën në mallrat e Serbisë e të Bosnjës.

Kryeministri i qeverisë, Albin Kurti, ndërkaq, thotë se qeveria e kryeministruar prej tij u rrëzua për shkak se ai e kundërshtoi shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë që është paraparë në bisedimet midis kryetarit të Kosovës dhe kryetarit të Serbisë.

Është një arsye tjetër, megjithatë, që realizuesit e rrëzimit të Qeverisë i ka shqetësuar më shumë se arsyeja e të parëve, opozitarëve, dhe arsyet e të dytëve, udhëheqësve të LDK-së.

Cila është ajo arsye?

Ajo është arsyeja që e dijnë, që e ndjejnë, që e theksojnë, që e përjetojnë shembshëm shumica e qytetarëve të Kosovës.

Qeveria e ndryshimit dhe e shpresës i çoi tmerrueshëm kundër vetes edhe ata të opozitës, edhe ata të koalicionit qeverisës kur filloi, shpejt pas konsituimit, t’i rrëgjojë, në të vërtetë t’i komprometojë privilegjet e pushtetarëve të lartë dhe partizanëve të tyre, t’i shpërbëjë infrastrukturat e eksploatimit e të zhvatjeve të Kosovës prej atyre që ishin në pushtetin e saj prej ditëve të para të pasluftës çlirimtare të UÇK-së e sidomos prej atyre që ishin në pushtet prej se Kosova u shpall shtet me 17 shkurt 2008.

Qeveria e ndryshimit dhe e shpresës i çoi tmerrueshëm kundër vetes edhe ata të opozitës, edhe ata të koalicionit kur e paralajmëroi ligjin për hetimin e prejardhjes së pasurive të të gjithë të pasuruarve politikë duke shfrytëzuar postet politike e shtetërore për të krijuar pasuritë e tyre të luajtshme e të paluajtshme në Kosovë e jashtë Kosovës.

Mund të mendohet kështu a ashtu, por nuk ka dyshim se nxitësi i rrëzimit të Qeverisë u bë kryetari i Kosovës, me dy nismat e tij – me nismën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme kur në Kosovë ende ishin vetëm 17 të prekur prej koronavirusit dhe me denoncimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të qeverisë me të cilin u ndalohet qytetarëve, si u tha në atë denoncim, “lëvizja e lirë”, e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Mund të besohet se as gjendja e jashtëzakonshme e as denoncimi i Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për atë “kufizim të lirive të lëvizjes”, që sot po e zbatojnë gati të gjitha vendet evropiane në luftën e tyre kundër pasojave të koronavirusit, nuk do të ishin paramenduar sikur kryetari i Kosovës mos të ishte marrë vesh me mocionistin, domethënë me kryetarin e LDK-së. Dhe, ashtu në atë marrëveshje u bashkuan dy shqetësime të forta politike, financiare e materiale, kundër Qeverisë, kundër Vetëvendosjes dhe kundër kryeministrit Albin Kurti. Dhe, kundër qëndrueshmërisë dhe mirëkuptimit për Kosovën në botë.

Këto dy shqetësime i kishte bërë edhe më të forta, më vepruese, më ndikuese, më alarmuese, më të pandalshme, parimësia, vendosmëria dhe ndershmëria politike e Albin Kurtit që janë virtytet e tij të larta e sidomos virtyti i tij më i lartë– dhuntia mendore politike e kulturore.

Se si krejt u shpreh ky shqetësim alarmues, i pandalshëm i të shqetësuarve e pamë dje, në mbledhjen dymbëdhjetëorëshe të Kuvendit të Kosovës.

E se si krejt do të mund të shprehet ai shqetësim alarmues, i pandalshëm, në javët, në muajt a në vitet e ardhshëm mbetet të shihet.

Lëvizjes Vetëvendosje iu hakmorën dje rinia e saj, risia e saj, pastërtia e saj politike, aftëstë e saj të përgjithshme dukshëm dalluese dhe sidomos përkushtimi i saj ndaj gjendjes sociale të qytetarëve të Kosovës.

E Albin Kurtit ju hakmorën dje mençuria, ndershmëria, parimësia dhe përgjegjshmëria e tij politike, shoqërore, shtetërore dhe kombëtare.

Dhe kështu me hakmarrjen ndaj rinisë, risisë, vendosmërisë, pastërtisë, aftësive të Vetëvendosjes dhe mençurisë, ndershmërisë, parimësisë e përgjegjshmërisë së Albin Kurtit u mbytën njëherë për njëherë ndryshimet dhe besimi për të cilat votoi populli i bindur se me rininë e risitë e Vetëvendosjes Kosova do të bëhet shtet stabil, funksional, demokratik, shtet juridik, shtet që do të lirohet prej eksploatuesve, zhvatësve, shfrytëzuesve të tij të rehatuar në postet politike, partiake e shtetërore.

A do të mund të jetohet edhe më tej këtu? Më pyetën disa të rinj në mesazhet që më dërguan e në thirrjet telefonike pas miratimit të mocionit fatal kundërhistorik të votuar dje në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës.

Varet prej jush, arrita t’u përgjigjem disave prej tyre.

Ju jeni ata që jetojnë sot e që duhet të jetoni edhe nesër në Kosovë, prandaj ju duhet ta bëni Kosovën ashtu si është më së miri

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Struga Lajme

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting