minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Rrëfimi i rrallë i Rezar Xhaxhiut: Gratë e Ambasadës sonë në Bukuresht kishin zili njëra- tjetrën, ndërsa shoferët… - Struga.net

Rrëfimi i rrallë i Rezar Xhaxhiut: Gratë e Ambasadës sonë në Bukuresht kishin zili njëra- tjetrën, ndërsa shoferët…

0

Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, të cilat çuan në rrëzimin e udhëheqësit komunist, Nikolae Çaushesku, i cili e kishte qeverisur atë vend, që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit. Dëshmitë e rralla të gazetarit e moderatorit të njohur, Rezar Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu si atashe i Shtypit dhe Kulturës pranë asaj ambasade, që rrëfen eksluzivisht për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me rradhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine? Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë, kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea që ishin bashkuar me protestuesit, pas hapjes së lajmit se, diktatori rumun, Çaushesku, me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

“Më kujtohet që të gjithë familjarët e personelit të ambasadës sonë, ishin mbledhur së bashku dhe rrinin nëpër bodrumet e asaj godine, nën një pasiguri dhe panik real, të asaj se çfarë mund të ndodhte në orët në vijim! Ndërkohë, që ajo pjesë e familjeve tona që ishin strehuar, jashte godinës së ambasadës, e përjetuan dyfish dhe më me frikë, betejen disa ditore në rrugët e Bukureshtit. Më kujtohet ime shoqe, të cilën e gjeja në çdo rast kur kthehesha nga ambasada, të tmerruar dhe të ngurtësuar nga paniku, frika, dhe pasiguria. Në atë kohë, ne kishim vajzën 6 muajshe, dhe shpesh i gjeja të dyja poshtë parvazit të dritares, për t’i shpëtuar plumbave që vinin ngado. Qëllohej nga çdo anë, dhe ata që ishin më të pabesë, ishin sajperat e USLA (Reparti Special Anti-Terror) i Securitates, që ishin vendosur në tarracat e pallateve, dhe godinave zyrtare. Por në shumë raste, nuk merrej vesh kush qëllonte?! Ishte e nesermja e Krishtlindjeve, pra 25 dhjetor i vitit 1989, kur mësuam për arrestimin e Çausheskut. Ai u ndalua së bashku me gruan e tij, Elenën, nga nje postobllok ushtrie në afërsi të Tirgovishtes. Gjatë këtij momenti, çifti presidencial Çaushesku, ishte drejtuar drejt një aeroporti, në tentativën për t’u arratisur nga Rumania, dhe për të kërkuar strehim politik në një vënd mik me Rumaninë”.

Kështu e kujton në mes të tjerash, gazetari dhe moderatori i njohur Rezar Xhaxhiu, ngjarjet e bujshme të ndodhura plot tre dekada më parë në Rumani, ku në fundin e dhjetorit të vitit 1989, për shkak të protestave masive të popullit rumun në kryeqytetin e vëndit, Bukuresht, udhëheqsi komunist, Nikolae Çaushesku, së bashkë me gruan e tij, Helena, në tentativë për t’u larguar nga vëndi, u ndaluan në një post-bllok në periferi të një qyteti të vogël në kufi me Hungarinë dhe më pas u ekzekutuan pas një gjyqi ‘blic’!

I ndodhur në rradhët e shërbimit diplomatik (si atashe i Shtypit dhe Kulturës), pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht që nga fillimi i vitit 1987, si një dëshmitar okular, Xhaxhiu, pati rastin të ndiqte nga afër ato protesta të popullit rumun, që çuan në rrëzimin e diktatorit Nikolae Çaushesku, i cili kishte qeverisuar atë vënd të madh ballkanik që nga viti 1965, pas vdekjes së George Dezhit.

Po si u përzgjodh Rezar Xhahiu që të shërbente në rradhët e diplomacisë shqiptare, kush ishin kolegët e tjerë me të cilat ai punoi nga viti 1987 e deri në marsin e ’91-it që u kthye në atdhe, si funksiononte puna në atë seli diplomatike dhe si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun në fundin e dhjetorit të vitit 1989, ku për disa ditë me rradhë, stafi i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej dhe zuri pozicione në pjesë të ndryshme të asaj godine?

Çfarë porosish merrnin ata nga Tirana zyrtare nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe si e kaluan momentin më të vështirë kur ambasada shqiptare u rrethua nga tanket e Ushtrisë së komanduar nga gjeneralit Vasile Milea, pas hapjes së lajmit se diktatori rumun, Çaushesku së bashku me gruan e tij, Helena, ishin strehuar në bodrumet e tunelet e asaj ambasade?!

Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje të panjohura të ndodhura në ambasadën shqiptare të akredituar në Bukuresht në periudhën kohore, 1987-1991, na rrëfen për herë të parë Rezar Xhaxhiu, në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al, e cila do vijoj në disa numra rradhazi.

                                                         Vijon nga numri kaluar

Zoti Xhaxhiu, ju theksuat pak më lart, që për t‘u nisur si diplomat i Shqipërisë, në ambasadat e akredituara në Europë dhe në vënde të tjera të botës, duhet të ishe patjetër i martuar. Mund të na shpjegoni më qartë, se pse ishte ky rregull? 

Kjo ishte një nga çuditë dhe absurditetet e para që u ndesha jo vetëm në atë ministri, por dhe në të gjithë mekanizmin e diplomacisë shqiptare me jashtë në periudhën e viteve ‘80-të. Që në ditët e para të emerimit tonë atje, ministri Reiz Malile, na komunikoi se duhet të ishim patjetër të martuar, nesë kishim dëshire për të vazhduar karrieren tonë si diplomatë nëpër ambasada të ndryshme. Ishte një absurd për ne që ishim studentë pak muaj më parë, diçka që na dukej sikur ishte një shaka. Por më pas e kuptuam që ky ishte një kusht ‘sine qua non‘, nëse doje të katapultoheshe si diplomat karriere nepër ambasadat e Shqipërisë në botë. Edhe sot nuk arrij ta kuptoj se përse duhej një gjë e tillë. Por çdo përpjekje për ta kuptuar, më rezulton e kotë.

Pasi e morët vesh këtë “rregull” si vepruat ju?

Veprova si duhej të veprohej. Pra, u vura ne kërkim të nuses dhe të bashkëshortes sime të ardhshme (qesh). Bëj shaka. Jo thjesht i thashë vajzës që njihja në atë kohë që, nëse nga e dashura ime, do të donte të bëhej bashkeshortja ime? Madje këtë gjë, i‘ a thashë për shpejt, pasi realisht koha nuk priste. Dhe ja u zgjidh. Pa ndonjë sforco dhe ekperimentime apo kërkime lart e poshte, (qesh). Isha me pak fat në këte drejtim.

A do të kalonte nëpër filtrat e famshme zyrtare biografia e bashkëshortes suaj, dhe e familjes së saj?

Në atë kohë, duhej që emri i vajzës që do të bëhej në të ardhmen bashkëshortja ime, të çohej po në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dhe në mos gaboj, në zyren e kuadrit e cila atë emer dhe mbiemer të vajzës përkatëse, e merrte dhe e fuste nëper te gjithe rotativat dhe mekanizmat filtrues, pastrues, kontrollues, dhe verifikues, të Sigurimit të Shtetit, për të parë nëse në brezin e dytë, apo të tretë, te kushurinjtë e tretë apo te katërt, të kishte ndonje cen, që nuk do ta lejonte që në të ardhmen, të bëhej gruaja e një diplomati.

Dhe sa zgjati ky proces?

Pas nje periudhe 15 ditore pritjeje, do të vinte dhe përgjigja e shumëpritur zyrtare. Ajo thoshte tekstualisht që: “Gruaja jote e ardhshme është e denjë, që të vijë me ty ne amabasadë“. Diçka e tillë, ishte si përgjigje. Dhe këtu merrte fund pritja, dhe bashkë me të, edhe ankthi, padurimi, etj. Kur e mendoj sot them…,si ka mundesi, që të ndodhë gjithë kjo gjë?! Por as për këtë nuk kam marrë ndonjë përgjigje të sinqertë!

Para se të niseshit për në Rumani, a patët orientime të caktuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtëme, sesi duhet të silleshit, dhe çfarë duhet të bënit ose jo, në atë vënd?

Sigurisht që po. Do të ishin një seri takimesh të tilla, por ai takim final, që do t‘i vinte vulën përfundimisht, do të zhvillohej, me zotin Polena, i cili, si skrupuloz dhe teknicien profesionist që ishte, nuk harronte që të jepte porositë në detajet më të imta të sjelljes sonë si diplomatë, dhe të kujdesit që ne, duhet të kishim si punonjës zyrtarë, në një vënd revizionist sikurse etiketohej, Rumania e Çausheskut në atë kohë. Këshillat, ishin nga më të çuditshmet dhe nga më absurdet e asaj periudhe, por që gjithsesi duheshin marrë me seriozitetin dhe ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë.

Si e kujtoni nisjen tuaj për në Rumani, dhe në cilin vit shkuat atje?

Ka qene tetori i vitit 1987. U nisëm nga Tirana me një fluturim të “TAROM“-it (linja ajrore rumune), në një Rinas të shkretuar, pasi në atë kohë, dy ishin kompanite e fluturimit që operonin në aeroportin tonë, “TAROM“-i rumun dhe “MALEV“-i hungarez.

Si e përjetuat këtë ndjesi?

Ishte një udhëtim drejt të panjohures dhe drejt një jete të re. Një jetë ku, një pjesë e së cilës nuk do të ishte më e jotja, por e të tjereve, që do të survejonin vazhdimisht, do të kontrollonin imtësisht, dhe do të këshillonin në mënyrë permanente. Unë, po nisesha drejt një bote të re që nuk do të ishte aspak, ashtu sikundër e kisha menduar më parë. Ambasada ishte edhe nje copëz Shqiperi në dhe të huaj, me të mirat dhe te këqiat e saj.

Cilin sektor të ambasadës sonë, do të mbulonit ju si diplomat?

Unë po mbërrija në Rumani, si Sekretar i Shtypit dhe i Kulturës, ose siç njihet ndryshe në gjuhën diplomatike,‘atashe‘. Ky do të ishte dhe rangu me i ulët në hierarkinë e punonjësve të ambasadës shqiptare në atë kohe.

Në çfarë distrikti të Bukureshtit, ndodhej godina e ambasadës së Shqipërisë?

Godina e ambasadës sonë, ka qenë në një zonë me ambasadat e tjera, diku tek Bulevardi “Aviatilor“ në mos gaboj. Ajo ka qënë në krah të ambasadës argjentinase, ku sot është rruga e famshme e përfaqësive diplomatike, e quajtur “Modrogan“.

A është e vërtetë që ajo vilë, dikur kishte qënë një nga rezidencat e mbretëreshës së Rumanisë? 

Po, kjo është mëse e vërtetë. Ajo ndërtesë, ka qene nje vilë tre kateshe e shekullit te XVIII-të me ambiente dhe hapësira të bollshme, dhe si dhe me nje super oborr të gjelbëruar në krah të saj. Kjo vilë, i takonte si rezidence banimi, njërës prej mbretëreshave të Rumanise, emri i së ciles tani nuk më kujtohet.

Kush do t’ju priste në aeroport, dhe kush ju shoqëroi më pas për në ambjentet e ambasadës?

Në aeroportin e Bukureshtit na pritën punonjësit e ambasadës. Ishte Sekretari i parë, Këshilltari Ekonomik, dhe shoferi nëse nuk gaboj. Më pas patëm një takim miqësor në ambjentet e ambasadës, me ambasadorin Zoi Toska dhe me punonjësit e tjerë të saj.

Nga sa persona përbëhej personeli i ambasadës shqiptare në Rumani?

Ne ishim diku tek 13 ose 14 familje të atashuara në ambasadë në atë periudhë.

Cili ishte impakti i parë që ju la kryeqyteti rumun, Bukureshti, po të kemi parasysh që është një nga metropolet më të zhvilluara të rajonit, i cilësuar ndryshe dhe si “Parisi i Ballkanit”? 

Ishte padyshim një impakt, goditës. Që në fillim, u ndeshëm me bulevarde super të gjerë, me ndërtesa të shekullit XVIII-të dhe XIX-të, me hotele tejet luksoze, padyshim dhe me ndërtime gjigande, të pajisur me një ndriçim tejet elegant, semaforë të shumtë, parqe të pafundme çlodhëse, gjithkund liqene dhe kopshte të mrekullueshme, njerës të mbajtur dhe të veshur mirë, për të mos harruar këtu, lumin e makinave që jo pak herë, shkaktonte kaos dhe trafik në qytet. Pra një shok total, duke marrë parasysh shkretëtiren e Rinasit, që kishim lënë dy orë më parë, por edhe trishtimin e nje Tirane të mjeruar të fundviteve ’80-të.

A mund t‘i kujtoni emrat e punonjësve shqiptarë të ambadasës shqiptare, dhe me çfarë detyrash konkrete merreshin ata, atje.

Zoi Toska ishte ambasadori jonë në Rumani, në periudhën kur mbërrita unë. Ai, e njihte gjuhën rumune shumë mire, ndoshta kishte bërë studimet atje. Viktor Dhroso, ishte Sekretari i Parë i ambasadës, pra, vinte i dyti në rang hierarkik, pas ambasadorit Toska. Pas tij vinte Sekretari i Dytë, Qemal Gjokutaj. Nga Ministria e Tregtisë me Jashtë, kishim Viron Andrean, ndërsa si Sekretar Ekonomik, ishte Ilir Shijaku. I ndjeri Marko Bello, ishte si unë, sekretar për Shtypin dhe Kulturën. Shifrant ishte, Andon Koçi, si dhe personel të tjerë, si Sekretarë të Tretë, Atashe të Mbrojtjes, radistë, shoferë, etj. Mund të përmënd emra të ndryshëm të këtyre pozicioneve, si Vangjel Kovaçi, Ymer Xhaferri, Ali Kuka, Lulzim Fuga, Luan Visha, Xhevair Ago, etj.

Cilat ishin, marrdhëniet tuaja me ta?

Ne ishim si të thuash, si një familje aty në ambasadë. Brenda së cilës, ka herë marrdhënie të mira dhe herë marrdhënie të tensionuara. Herë pak xhelozi, e herë të tjera cmirë, zilira, konkurencë, fjalë pas krahëve, thashetheme, raportime pa të keq, pa zarar, siç i themi ne.

Mund të shpjegoheni më konkretisht në lidhje më këtë gjë?

Gra që kishin zili njëra tjetrën, deri edhe për veshjet e tyre, burra që influencoheshin nga gratë e tyre, shoferë që silleshin, si të ishin diplomatë të vërtetë. Kishte nga te gjitha aspektet e jetës, ambasada jonë në Bukuresht. Ishte një Shqipëri e vogël, në miniaturë. Por, mua nuk më takon që rrobat e palara, t‘i nxjerr në ballkon (qesh).

Po përsa i përket rezidencave të banimit, ku do të akomodoheshit ju dhe familja juaj? 

Një pjesë e personelit, pra katër familje (përfshi këtu dhe familjen time), do të jetonin jashtë godinës së ambasadës, në nje bllok banimi me rumunët e thjeshtë.

Ku ndodhej ky bllok banimi?

Ai bllok banimi, ndodhej në një zonë diku fare afër Cirkut Kombëtar të Rumanisë. Ishte një zonë e qetë në Rrugën 15, “Circului“ të zonës së dytë të Bukureshtit.

Në raport me Tiranën, si ishin kushtet e jetesës në Bukuresht?

Në krahasim me Tiranën, kushtet e jetesës në kryeqytetin rumun, ishin krejt normale. Vëndi ku banonim ne ishte një apartament i mobiluar në menyrën më bazike të mundshme, me mobilje të Pogradecit, ose si te Pogradecit. Dhe nese nuk kishin ardhur nga Tirana, duhet të ishin porositur në ndonje Pogradec të Rumanisë…! (qesh).

Pra kushtet e jetesës në Bukuresht, ishin të njëjta në simotrën e saj, të Tiranës?

Në të vërtetë, ato ishin ku e ku më të mira. Shikoni, në apartamentin tim, kishim një sistem të ngrohjes qëndrore me gaz, që në Tiranën e kohës së komunizmit, nuk njihej. Po kështu, gjithçka gatuhej me gaz, ndërsa ekzistonin metrotë e tramvajet, që të lehtësonin qarkullimin e përditshem. Gjithashtu kishte dhe magazina stërmëdha, edhe pse këto në kohën e Çausheskut, ishin bosh nga mallrat dhe nga produktet…!

Ju thatë pak më parë, që do të mbulonit sektorin e Shtypit dhe Kulturës në ambasadë. Cilat ishin raportet kulturore midis Shqipërisë dhe Rumanisë së viteve ’80-të?

Raportet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë komuniste, nuk do të ishin shumë intensive, pasi kishte pak shkëmbime kulturore ndërmjet Tiranës dhe Bukureshtit zyrtar. Problemet e mëdha ekonomike, të të dyja vëndeve, ishin kryefjala e ditës dhe marrdhëniet kulturore midis dy vëndeve, në raport me çështjet politike dhe ekonomike, dilnin në plan të dytë!

A keni pasur kontakte me studentët shqiptarë të cilët studionin në universitetet rumune?

Në atë periudhë që unë kam shërbyer në ambasadë, nuk kishte studentë shqiptarë që studionin në Rumani. Nëse nuk gaboj, brezi i fundit i këtyre studentëve, i takonte viteve ’70-të, mesit apo fundit të atyre viteve.

A mund të përshkruani me pak fjalë pasqyrën politike, ekonomike, dhe sociale, të Rumanisë së Çausheskut?

Një Rumani stërmadhe, gati sa gjysma e Gadishullit të Ballkanit, me 25 milionë banorë, dhe me fusha të pafundme, e pasuri mbi dhe nëntokësore të gjithanshme, ishte totalisht, e tëra e zhytur në një varfëri migjeniane, dhe me një skamje te çuditshme.

Cilat ishin tiparet dhe karakteristikat e shoqërisë rumune, që binin më shumë në sy, në periudhën e fundviteve ‘80-të? 

Ajo, ishte një shoqëri e hapur por e opresuar, rumunët, ishin një popull që kryenin lirshëm ritet fetare, por që u ndalohej të takoheshin me të huaj, qofshin këtë edhe turistë. Nje rumun i thjeshtë, kishte një makinë private, por që ishte i survejuar non-stop, dhe që nuk duhej të shprehte asnjë mendim të tijin, të lirë dhe të pavarur.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy