minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme
Ruli e ka kuptuar (vonë, po më mirë vonë se kurrë) - Struga.net

Ruli e ka kuptuar (vonë, po më mirë vonë se kurrë)

0

Nga Skënder Minxhozi

Kur në 1 shtator 2005 Fatos Nano dha dorëheqjen nga kryetar i Partisë Socialiste, askujt në PS nuk i filluan dhimbjet e kokës se çfarë statusi do t’i gjenin këtej e tutje ish-kryetarit: patriark, kryetar nderi, senator të përjetshëm apo diçka tjetër. E gjithë fabula u spostua menjëherë tek zgjedhja e pasardhësit, pasi vetë Nano e kishte “zgjidhur” nyjen gordiane të karrierës së vet politike.

Në katër vitet që pasuan ai do të dukej në Parlament vetëm një herë në gjashtë muaj, që të mos humbte pagën e deputetit. Pra, iku realisht dhe në mënyrë të pakthyeshme nga kreu i partisë që drejtoi për 15 vjet. Përtej shumë defekteve që Fatos Nano ka pasur në karrierën e tij, dorëheqjet kanë qenë akte të guximshme dhe fshikulluese, për ata që preferonin të bënin një vesh shurdh e një sy qorr, duke mos lëshuar poltronat.

Një deklaratë e Genc Rulit orët e fundit, ka hedhur idenë e ndrojtur që Sali Berisha mund të mos ndjehej mirë në parlamentin që do dalë nga zgjedhjet e ardhshme. Një ftesë e kamufluar që ish-kryetari i PD të konsiderojë largimin vullnetar nga politika, ose edhe një paralajmërim se këtë gjë do ta bëjë komisioni Nishani, i ngritur për të përzgjedhur kandidaturat e ardhshme.

Nëse krahasojmë në distancë këto dy gjendje, në të cilat ndodhen dy partitë më të mëdha të vendit, vemë re pa asnjë vështirësi se PS dhe PD gjenden prej 15 vitesh në dy cikle të ndryshme lidershipi. E para, e ka larguar realisht dhe pa kthim hijen e rëndë të paraardhësit, për t’i lënë vend një brezi të ri politik, kurse e dyta, vijon të endet edhe në vitin 2020 në dilemën nëse duhet ose t’ja thotë me zë të lartë kreut të vjetër, që të çlirojë partinë nga pesha dhe influenca e errët që ushtron prej më shumë se shtatë vjetësh, pas dorëheqjes formale.

Është kthyer në një stereotip popullor këto vite, që sa herë përballen këto dy parti në zgjedhje, në rrugë apo në tryeza negociatash, të shfaqet imazhi i Lulzim Bashës që gjen mënyrën për t’u larguar nga gara me Ramën, për të marrë në telefon Berishën, e për t’i kërkuar atij leje për të vepruar.

Kjo situatë e dyzuar, ky dykokësh i shëmtuar që drejton sot punët në PD, është njëri ndër shkaqet madhore të lidershipit të dobët, të pasigurt, të paqartë dhe që herë mban në xhep shishe me benzinë, e herë ulet në tryezë për të dalë prej andej rregullisht i humbur. Një parti që përkundet në këto dy skaje, e ka të vështirë të gjejë ekuilibrin e domosdoshëm drejt fitores që pret prej shtatë vjetësh.

Largimi i Nanos nga kreu i PS i hapi rrugë Edi Ramës drejt partisë dhe më vonë drejt pushtetit. Është një analizë tjetër nëse për PS ka nisur një epokë më e mirë apo më e keqe se e para. Çeshtja është të ndahet nevoja për rotacion dhe ndryshim elitash në krye të një partie, me cilësinë e kryetarëve që marrin pushtetin. Tek socialistët ky proces ka ndodhur një dekadë e gjysëm më parë. Demokratët vazhdojnë të ende mes nostalgjisë për piskamën e liderit të vjetër dhe dëshpërimit për aneminë politike të liderit të ri.

Megjithëse me shumë vonesë, Genc Ruli e ka kuptuar zgjidhjen. Kurse Lulzim Basha, si zakonisht, ka frikë të na thotë se kupton.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy