minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Sabit Brokaj: Meqë me Turqinë u hasi sharra në gozhdë, grekët po përdorin Shqipërinë si “kockë e lehtë”. Me paktin e 2009 grekët dilnin në Otranto - Struga.net

Sabit Brokaj: Meqë me Turqinë u hasi sharra në gozhdë, grekët po përdorin Shqipërinë si “kockë e lehtë”. Me paktin e 2009 grekët dilnin në Otranto

0

Ish-ministri i Mbrojtjes, Dr. Sabit Brokaj e konsideron thjesht të parealizueshëm pretendimin e grekëve për 12 milje detare më shumë në dëm të Shqipërisë.

Ai është i bindur se marrëveshja antikombëtare e Berishës në vitin 2009 nuk ka për t’u përsëritur në asnjë lloj rrethane dhe nga asnjë qeveri shqiptare.

Synimi grek për të kapur kanalin e Otrantos sipas marrëveshjes që bënë me Saliun u rrëzua nga Gjykata jonë Kushtetuese dhe siç shprehet Brokaj në këtë intervistë botuar sot në gazetën DITA “nuk ka zot ta ndryshojë fatin e atij vendimi”.

– Doktor Brokaj, është rihapur sërish çështja e kufirit detar me Greqinë. Grekët, kryeministri dhe ministri i Jashtëm, flasin për 12 milje detare që i kalojnë Greqisë. Si ju duket ky diskutim dhe a mund të cedojë pala shqiptare në këtë drejtim?

– Githçka nisi me atë marrëveshje të turpshme të vitit 2009, një akt tradhtie kombëtare nga ana e qeverisë Berisha, për fat të mirë e rrëzuar unanimisht nga Gjykata jonë Kushtetuese.

Nuk ka zot ta ndryshojë fatin e atij vendimi. Por qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë të ndihen të shqetësuar nga ky debat i sotëm. Unë do doja të qetësoheshim të gjithë: Askush nuk mund të rikthejë marrëveshjen e turpshme të Saliut dhe asnjë qeveri më pas nuk ka guxuar dhe nuk do të guxojë ta përsërisë atë tradhti kombëtare.

Debati sot më duket i panevojshëm edhe për një aspekt tjetër. Para kufijve detarë përcaktohen dhe njihen reciprokisht kufijtë tokësorë. Dhe Greqia ende nuk i njeh kufijtë tanë tokësorë, sidomos atë të Shqipërisë së Jugut. Janë disa piramida formalisht të cilat Greqia nuk i njeh, duke ushqyer ëndrrat e vjetra të megali idhesë.

– Po pse u rihap ky debat aktualisht?

– Njihet në marrëdhëniet ndërkombëtre precedenti. Meqë me Turqinë u ka hasur sharra në gozhdë, kanë thënë hajde krijojmë precedentin me Shqipërinë, se Shqipëria është një kockë e lehtë.

Por gjërat nuk funksionojnë sipas oreksit të Athinës. Unë besoj atë që thotë eksperti ynë më i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Ksenofon Krisafi, i cili është marrë edhe me ndarjen e kufirit me Italinë. Prof. Krisafi deklaronte dje për gazetën tuaj se “Shqipëria dhe delegacioni i saj, e kanë të përcaktuar, madje të kushtëzuar qëndrimin e vet nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2010, i cili e shpalli marrëveshjen e prillit 2009 antikushtetuese, në kundërshtim me parimet themelore te së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës së detit dhe që kishte çuar në rrezikun e cedimit të një sipërfaqeje të rëndësishme të territorit detar të Shqipërisë.”

Kur flitet për 12 milje, më duket i ekzagjeruar ky pretendim. Sa qëndron dhe sa i realizueshëm është ky pretendim?

– Së pari, nuk është i realizueshëm për një arsye të thjeshtë. Kufijtë detarë përcaktohen mbi bazën e barazlargësisë. Mund të flitet për 12 milje shtrirje të njëanshme, kur hapësira detare midis dy vendeve të jetë të paktën 24 milje. Nuk kemi 24 milje hapësirë ujore detare midis nesh dhe grekëve.

Kështu si jemi, grekët do duhej ta shtrinin kufirin e tyre deri në Gjirokastër e Tepelenë, ndërsa ne do të kërkonim të kapërcenim Korfuzin. Këtu nis absurdi dhe ngacmimi i politikanëve grekë.

– Këtë kërkonin edhe në marrëveshjen e 2009-s?

Marrëveshjen e 2009-s e ka sqaruar shumë mirë Kolonel Myslim Pashaj kur zbuloi hilenë që u luajt më një shkëmb, në hapësirën tonë detare. Grekët synuan të kapnin kepin e Karaburunit, që është yni, sepse aty është kanali i Otrantos, që i përket Shqipërisë dhe Italisë përballë. Po të ishte në fuqi ajo marrëveshje grekët do të dilnin në Otranto.

Tjetra, kur janë ndarë kufijtë ujorë mes nesh në mesin e viteve 20 të shekullit të kaluar, Greqia nuk e kishte një pretendim të tillë. Tani që po flitet se aty mund të ketë edhe rezerva nafte dhe gazi, u është hapur oreksi. Sidoqoftë unë jam optimist tek mendimi dhe qëndrimi konsekuent i ekspertëve tanë të cilët i paraprijnë vendimeve politike.

– A mund të konsiderohet ky një akt shantazhi nga ana e Greqisë aktualisht dhe sidomos në prag të vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë?

– Padyshim që ka edhe shantazh në këtë qëndrim të grekëve. Madje dhe kapadaillëk. Jam i sigurt se këtë çështje do ta hapë edhe ministri i jashtëm i Greqisë në Tiranë. Le ta hapë. Detyra dhe e drejta e qeveritarëve tanë është që t’i përgjigjen me dinjitet.

Një argument shumë i fuqishëm në favorin tonë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili nuk mund të vihet në diskutim. Qeveritarët tanë nuk kanë asnjë arsye as të dorëzohen dhe as të kompleksohen nga çfarëdo shantazhi, pasi për këtë kanë shumë argumente të ekspertëve tanë të çështjeve ndërkombëtare të cilët e kanë sqaruar me hollësi dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

E ritheksoj: negociata mund dhe duhet të ketë. Pala greke ka pozicionin e saj në mbrojtje të interesave të vendit të vet. Por edhe ata, edhe kushdo tjetër e ka fare të qartë se në çdo rast negociatat do mbështeten fuqimisht në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, të sanksionuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Siç dihet ato janë të detyrueshme për të gjithë shtetet anëtare, përfshirë edhe fqinjët, sikurse jemi ne me Greqinë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy