minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme online mortgage broker online university
Shqiptari Dritan Abazoviçi, kalë Troje i një projekti ruso-serb për destabilizimin e rajonit? - Struga.net

Shqiptari Dritan Abazoviçi, kalë Troje i një projekti ruso-serb për destabilizimin e rajonit?

0

Deputeti me origjinë shqiptare Dritan Abazoviq ka të drejtë të kundërshtojë Millo Gjukanoviqin. Por, refuzimi i Gjukanoviqit nuk domethënë që Abazoviq të bashkohet verbërisht me partitë proserbe dhe proruse dhe të luajë me zjarr. Nacionalistët serbë me ton triumfues po thonë se po të shkonte Abazoviqi në Beograd, rinia serbe do ta bartte në duar. Po, do e bartte, por deri te varrezat masive të Batajnicës, siç nënvizon një publicist proeuropian serb. Abazoviq duhet të vë kushte të qarta për të hyrë në qeveri. Ndryshe do të mbetet në kujtesë vetëm si një kalë Troje i një projekti ruso-serb për destabilizimin e rajonit.

Nga Enver Robelli*

Dritan Abazoviqi e ka ndërtuar karrierën politike si kundërshtar gjuhëbrisk i Millo Gjukanoviqit dhe pushtetit të tij. Gjukanoviq ka merita historike për pavarësimin e Malit të Zi dhe largimin e këtij vendi nga përqafimi mbytës i Beogradit. Por e vërtetë është po ashtu se Gjukanoviq për 30 vjet në pushtet e shndërroi Malin e Zi në ndërmarrje familjare dhe klanore, shoqëruar me krejt fenomenet negative si korrupsioni, krimi i organizuar dhe presioni ndaj mediave.

Për Abazoviqin do të ishte me gjasë fundi i karrierës politike nëse do të ndërronte taborin dhe do t’i bashkohej Gjukanoviqit. Por, refuzimi i Gjukanoviqit nuk domethënë që Abazoviq të bashkohet verbërisht me partitë proserbe dhe proruse dhe të luajë me zjarr. Sot Abazoviq, bashkë me partitë kryesore të opozitës malazeze, përmes një deklarate njoftoi se qeveria e re do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare (domethënë: nuk vihet në pyetje anëtarësia në NATO dhe me gjasë as anulimi i njohjes së Kosovës nga Mali i Zi, ndonëse sa i përket Kosovës Abazoviq duhet të deklarohet qartë dhe personalisht), dy: se Mali i Zi do të qëndrojë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, tre: qeveria e re do të jetë qeveri ekspertësh duke përfshirë pakicat etnike dhe fetare.

Këto fjalë duhet të bëhen vepra. Hyrja në qeveri me partitë proserbë dhe proruse është një aventurë e rrezikshme, andaj përgjegjësia e Dritan Abazoviqit është jashtëzakonisht e madhe. Disa paraqitje të tij në opinion janë të neveritshme, për shembull në një debat ai ka thënë se Skënderbeu është serb me nënë e babë. Një deklaratë kjo skandaloze, idiotike, e pavërtetë. Nga këto deklarata Abazoviq duhet të distancohet dhe të kërkojë falje.

Publicisti i njohur serb Sllavisha Lekiq shkroi në Twitter: “Po thotë Matija Beçkoviqi (shkrimtar ultranacionalist serb dhe shqiptarëngrënës dhëmbëverdhë, v.j.): ‘Po të vinte Dritan Abazoviqi, lider i koalicionit URA, nesër në Beograd, rinia serbe do ta bartte në duar’. E vërtetë! Do ta bartnin në duar deri në Batajnicë. Me Matijan në krye të kolonës. Si në vitet 90-të”.

Partnerët e koalicionit të ardhshëm të Dritan Abazoviqit në parlamentin e Malit të Zi janë shquar me fjalime fashiste antishqiptare. Këtë kapitull të errët Abazoviq nuk mund ta shlyejë. Ai duhet të vë kushte të qarta për të hyrë në qeveri. Ndryshe do të mbetet në kujtesë vetëm si një kalë Troje i një projekti ruso-serb për destabilizimin e rajonit.

Mali i Zi është një fqinj i rëndësishëm i Shqipërisë dhe i Kosovës. Përkundër gabimeve e poshtërsive në fillim të karrierës së tij politike, Millo Gjukanoviq nga fundi i viteve 90-të ia ktheu shpinën regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Gjatë sulmeve të NATO-s Gjukanoviq i bëri strehë liderit serb të opozitës Zoran Gjingjiq dhe i hapi kufijtë për strehimin e refugjatëve nga Kosova – përkundër rreziqeve të mëdha që i kanoseshin nga Beogradi. Gjukanoviq ishte i pari politikan i Ballkanit që në vitin 2000 i kërkoi falje Republikës së Kroacisë për pjesëmarrjen e ushtarëve malazezë (si pjesëtarë të ushtrisë serbo-jugosllave) në bombardimin e Dubrovnikut në vitet 1991/92. Me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur Gjukanoviq tregoi guxim të madh – një guxim që shqiptarët duhet t’ia vlerësojnë përjetësisht.

Gjukanoviq nuk qëndroi në pushtet ekskluzivisht për shkak të “kapjes së shtetit”, siç thonë kundërshtarët e tij politikë, mes tyre edhe Abazoviqi, por për shkak se Gjukanoviq nuk është as nacionalist mesjetar, as racist ballkanik, as ideolog. Dhe për shkak se ai me vite të tëra u përballë me sukses me një opozitë kaotike, antimalazeze dhe proserbe, e cila herë premton bashkim me Serbinë, herë kërkon që Mali i Zi të jetë provincë ruse, herë lëshon sirenat e alarmit në parlament për të kujtuar sulmet “e padrejta” të NATO-s më 1999.

Gjukanoviq është politikan pragmatik që me profesionalizëm dhe shkathtësi politike arriti të përfshijë në bashkëqeverisje edhe pjesëtarë të pakicave. Në partinë e tij mbajnë pozita të larta edhe boshnjakë dhe shqiptarë. Të gjitha këto janë fakte dhe nuk mund t’i zhbëjë as Dritan Abazoviqi me fjalimet e tij shpeshherë demagogjike. Ai mund të ketë të drejtë me kritikat e tij sa i përket keqqeverisjes e korrupsionit, ai ka të drejtë legjitime të kërkojë ndërrimin e pushtetit pas tri dekadash nën Gjukanoviqin, por kjo nuk i jep të drejtë të hedhë në ajër një shtet duke u futur në aventura me Beogradin dhe Moskën dhe me popët me mjekra të lyera me gjakun e viktimave të hegjemonizmit serbomadh.

Rrallëherë një politikan me origjinë shqiptare në Ballkan ka pasur kaq shumë përgjegjësi në marrjen e vendimeve politike. Dritan Abazoviqi gjendet para një momenti vendimtar jo vetëm të karrierës së tij politike. Ai mund të bëjë një hap të parë: të kërkojë të jetë ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe vizitën e parë ta bëjë në Kosovë. Ky do të ishte një hap i duhur. Rruga tjetër e çon te Matija Beçkoviqi, ai shqiptarëngrënësi dhëmbëverdhë e serbomadh.

*Titulli original: Përgjegjësia e madhe e Dritan Abazoviqit

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy