Kontrata, kampionate që duhen mbyllur e merkato: FIFA ideon zgjidhjet për kaosin e COVID-19

0

Koronavirusi ka kaluar në kolaps futbollin thuajse në të gjithë globin. Kampionatet jane ndalur dhe ka pasiguri kur mund të rifillojnë e kjo ka krijuar probleme të mëdha sa u përket edhe kontratave që kanë klubet apo detyrimeve për të mbyllur sezonin në mënyrë që të përfitojnë të ardhura nga sponsorët dhe e drejta televizive.

Për këtë arsye, FIFA është vënë në punë për të gjetur një zgjidhje në këtë situatë.

Sipas “Reuters”, po mendohet që të miratohet një ndryshim në rregulloret ndërkombëtare, ku kontratat të zgjaten derisa të mbarojnë sezonet në vendet përkatëse, për të shmangur kështu problemet ligjore me kontratat e futbollistëve të cilëve u mbarojnë në qershor e që duhet të luajnë edhe në korrik.

Ndërkohë, edhe merkato e futbollistëve, ajo e verës, do të zgjatej deri në fund të vitit, duke u transformuar në një të vetme, në mënyrë që klubet të kishin kohë të bënin lëvizjet e tyre. Kjo do t’u jepte mundësinë kampionateve që të mbylleshin para se të fillonte edicioni i ardhshëm. Një tjetër masë që po merret në shqyrtim është që këtë vit të ulet edhe numri i ndeshjeve ndërkombëtare, pasi çdo javë e fituar për kampionatet, ndihmon ekonominë botërore të futbollit.

FIFA ka ndërtuar një grup pune i cili duke ndjekur situatën e pandemisë, po trajton këto tema me radhë para se të dalë me një vendim në momentin kur të duket sikur situata në gjithë globin po fillon të qetësohet.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net

Struga | Struga Lajm | Bota Sot | Struga Lajme

|Privacy policy | Powered by Alb Hosting