minibus hire Leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm struga lajme
Shqiponja e harruar e Strugës - Struga.net

Shqiponja e harruar e Strugës

0
patriotLumani2 (2)

Për nderë të struganëve të rënë në Luftën e Petrinjës, në përballje me ushtritë serbe në vitin 1913, në qytetin e Strugës, nga nënprefektura e atëhershme, në qendër të qytetit u ven-dosë lapidari i shqipon-jës. Vendosja e këtij simboli të shqiptarëve u bë me një manifestim të madh të paparë më herët, në shtator të 1943, me rastin e tridhjetë vjetorit të kësaj beteje të pabarabartë, ku për ditë të tëra çetat strugane mbajtën të bllokuar ushtritë serbe në Petrinjë, një lokalitet ndërmjet Ohrit dhe Resnjës. Sejdin Lloga, ish i burgosur politik i vitit 1967 tashmë në moshën tetëdhjetëvjeçare, me një kujtesë të admirueshme na tregon për vendosjen dhe heqjen e lapidarit të shqiponjës. Sejdini tregon se në vitin 1943 kur u vendos lapidari i shqiponjës në qendër të Strugës, ai ishte nxënës në shkollën fillore të qytetit të Strugës dhe bashkë me shokët e klasës së tij, në këtë ceremoni, kënduan himnin e flamurit. Në fillim u ndërtua bazamenti i lapidarit, ndërsa shqiponja ishte konstruktuar në Tiranë dhe në Strugë e sollën ditën e përurimit, thotë ai. Inaugurimi i shqiponjës ishte një nga ngjarjet që bëri shumë bujë atëherë në Strugë, potencon Lloga për gazetën KOHA. “Në këtë manifestim morën pjesë një numër i madh i qytetarëve të Strugës si dhe të ftuar nga Pogradeci dhe Tirana që në atë kohë ishte kryeqendër administrative edhe për qytetin tonë. Vendosja e simbolit të shqiponjës u pritë mirë nga qytetarët e Strugës, të cilët gjatë atyre viteve filluan të kenë një lulëzim në drejtim të zgjimit të ndjenjës kombëtare pas disa dekadave të një politike shtypëse dhe asimiluese të regjimit serb të asaj kohe. Ne ishim gjenerata e parë që filluam të mësojmë në gjuhën shqipe dhe gradualisht Struga po i rikthehej identitetit të saj të nëpërkëmbur nga pushtuesit”, thekson ai. Për Llogën ndërtimi i lapidarit të shqiponjës në atë kohë pati një rëndësi të veçantë, sepse me të filluan të identifikohen shumica e struganëve dhe për ato vite sa qëndroi në qendër të qytetit lapidari u rikthye në vend pelegrinazhi për struganaët dhe për qytetarët e vendeve të tjera që vizitonin Strugën në ato vite.

Heqja e shqiponjës

Një emocion të papërshkrueshëm, tregon Sejdin Lloga, ai dhe shumë qytetar shqiptar të Strugës përjetuan në vitin 1946 kur gjatë një nate shqiponja u hoq nga bazamenti dhe u hodh në lumin Drini i Zi. Kjo ngjarje, shton Lloga, bëri përshtypje të madhe në ato kohë kur propagandohej me të madhe “vëllazërim bashkimi”. Gjithashtu pati shumë diskutime edhe për faktin se gjatë atyre viteve Shqipëria dhe Jugosllavia kishin marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike. “Padyshim, një nga momentet më të vështira në atë kohë ka qenë heqja e shqiponjës nga bazamenti dhe hedhja e saj në lumin Drini i zi. Unë, si shumë nxënës të asaj kohe, që kishim marr pjesë në vendosjen e saj, heqjen e shqiponjës e përjetuam në një mënyrë shumë emocionale. Në qendër të qytetit nuk ishte shqiponja. Reaguam te mësuesit tanë të cilët na premtuan se do të interesohen për këtë rast. Duke qenë se edhe pas këtij reagimi tonit, asgjë nuk ndryshoi, ne si nxënës me atë pafajësinë tonë diskutonim se duhet të futemi në Drinin e Zi për ta marr shqiponjën dhe për ta vendosur sërish atje ku e kishte vendin. Por, na informuan se ishin organet e punëve të brendshme ato që e kishin hequr dhe marr shqiponjën. Pas këtij momenti ne e morëm vesh se heqja e shqiponjës nga lapidari nuk është bërë nga persona nga qytetarë të papërgjegjshëm, por nga shteti dhe organet e brendshme”, thotë Lloga.

Në Strugë vazhdon misteri për shqiponjën

Edhe në ditët e tanishme në Strugë ekzistojnë një sërë variantesh se ku ka përfunduar shqiponja, por Sejdin Lloga mendon se është vërtet që ky simbol u hodh në Drinin e Zi nga pushtetarët komunistë të kohës. Por, sipas tij, gjithashtu është e vërtet edhe fakti që shqiponjën nga lumi e ka nxjerrë Isan Ago, një banor i qytetit të Strugës, i njohur në atë kohë për kontributin e tij në hapjen e shkollave shqipe në Strugë si dhe një nga frymëzuesit e shumë aktiviteteve me sfond patriotik që organizoheshin gjatë viteve dyzetë në Strugë. Sipas Llogës, në momentin e parë që organet e atëhershme të sigurimit marrin informacionin se Isan Ago ka arritur të nxjerrë nga lumi shqiponjën shkojnë në shtëpinë e tij dhe ia marrin atë dhe prej atëherë nuk dihet asgjë se ç’ndodhi me shqiponjën.

Lapidari I Shqiponjës në jetën e Sejdin llogës

Në jetën e tetëdhjetëenjë vjecarit Sejdin Llogës lapidari I shqiponjës në Strugë ka pasur një ndikim të madh sepse prej atëherë ai ka filluar të ketë një ndjenjë të veçantë për simbolin e kombit të tij dhe kauzës së tij kombëtare. Lloga tregon se nga ajo kohë ka trashëguar edhe aftësinë për të vizatuar shqiponjën dhe flamurin kombëtar dhe për këtë ka vuajtur edhe dy vjet e gjysmë burg, sepse ai ka konceptuar nga ana vizuale flamujt shqiptarë që më 28 nëntor të 1967 u ngritën në fshatrat e Strugës. Ai së bashku me disa nga shokët e tij, si Shefit Il- jazi, Olloman Sela, Xhe- vat Lena, Zudi Bakiu etj. më 28 nëntor të vitit 1967 organizojnë aksionin për ngritjen e flamurit shqiptar në disa vendbanime të Strugës, aksion i cili pikaset nga organet e sigurimit të asaj kohe dhe pjesa më e madhe e grupit përfundojnë në burgjet e Jugosllavisë. Sejdin Lloga, tanimë mendon që lapidari i shqipon jës ky simbol i hequr në mënyrën më tinzare ka ardhur koha që sërish të rikthehet në sheshin e Strugës dhe në këtë drej-tim ai pret që të reagojnë autoritetet vendore.

(Botuar ne gazeten KOHA-31/12/2012)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2014 - 2020 Struga.net | Privacy policy